Bota

Pakistan, 97 viktima nga rrëzimi i avionit në Karaçi

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 13:56
Text size Aa Aa

Autoritetet pakistaneze konfirmuan të shtunën se 97 persona kanë vdekur dhe 2 të tjerë kanë mbijetuar në aksidentin ajror të një dite më parë, kur një avion u rrëzua mbi Karaçi.

Sërish ditën e shtunë, banorët e qytetit shprehën tronditjen e thellë për ngjarjen, ndërsa oficerët e policisë bënë roje pranë zonës ku avioni u rrëzua.

Në vendin e ngjarjes trupa ushtarake dhe ekipet e emergjencës punuan për të nxjerrë trupat e varrosur nën rrënojat e avionit por edhe ato të ndërtesave të shembura, pasi mjeti ra mbi një zonë të banuar.

Avioni po fluturonte nga qyteti lindor i Lahores për në atë jugor të Karaçit, me 91 pasagjerë dhe 8 anëtarë ekuipazhi në bord, pak ditë pas heqjes së kufizimeve të vendosura për shkak të koronavirusit.

Një zyrtar i aviacionit vendas deklaroi se mjeti fluturues nuk kishte qenë në gjendje të nxirrte rrotat e poshtme për t’u ulur në aeroport për shkak të një defekti teknik.

Ndërkohë, ekspertë të sigurisë ajrore deklarojnë se incidente të këtij lloji kanë disa shkaqe, zbardhja e të cilëve në orët dhe ditët e para është e pamundur.