Bota

SHBA, Trump urdhër guvernatorëve: Të hapen objektet e kultit

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 11:09
Text size Aa Aa

Guvernatorëve të shteteve amerikane u është bërë thirrje nga presidenti Donald Trump që të hapin menjëherë kishat, sinagogat dhe xhamitë.

Shumë zyrtarë kanë kufizuar praninë e njerëzve në objektet e kultit, por Trump thotë se ato duhet të lejohen të hapen në të njëjtën mënyrë si shërbimet e tjera jetike.

“Guvernatorët duhet të bëjnë gjënë e duhur dhe të lejojnë këto vende të rëndësishme besimi të hapen menjëherë, për këtë fundjavë. Nëse nuk e bëjnë, unë do të shkel kompetencat e tyre”, ka deklaruar Trump.

Por guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom tha se do të lëshojë udhëzime të reja që nuk do të jenë gati para së hënës dhe nuk përmendi se kur kishat do të hapen.

“Ne kemi punuar në mirëbesim me komunitetet dhe duke respektuar diversitetin fetar në mbarë shtetin, duke punuar gjithashtu për diferencimin mes kishave të mëdha dhe atyre të stilit të lagjeve, duke studiuar edhe stilet e ndryshme të sediljeve dhe protokollet e dezinfektimit. Kemi punuar për këto aspekte dhe jemi pak ditë larg publikimit të udhëzimeve. E shumta të hënën do t’i publikojmë ato”, deklaroi Newsom.

Ndërkohë, mbi 1 mijë e 200 priftërinj protestantë në Kaliforni kanë në plan të rifillojnë shërbesat më 31 maj, pavarësisht urdhërave të guvernatorit për të qëndruar në shtëpi.

Tregime të lidhura