Bota

Lufta kundër drogës, asgjësohen 2 miliardë $ lëndë narkotike në Tajlandë dhe Mianmar

Përditësimi i fundit: 26/06/2020 - 16:41
Text size Aa Aa

Autoritetet në Tajlandë dhe Mianmar kanë shkatërruar një sasi të konsiderueshme droge me vlerë mbi 2 miliardë dollarë, në ditën ndërkombëtare kundër abuzimit dhe trafikut të drogës.

Në provincën e kryeqytetit të hershëm të Tajlandës, Ajuthaja, autoritetet i vunë zjarrin 25 tonelatave drogë të konfiskuar, e përbërë nga metamfetaminë, ekstazi, kokainë dhe heroinë.

Një zyrtar i policisë tajlandeze deklaroi se trafikantët e drogës po e shfrytëzojnë periudhën e bllokadës së pandemisë. Sipas tij, ata nuk po ndalen, por po gjejnë shtigje të tjera.

Ndërsa një zyrtar i policisë australiane, i atashuar në Tajlandë tha se metamfetamina përbën sasinë më të madhe të drogave që trafikohen nga zona e Mekongut në Australi, me metoda që variojnë nga kontejnerët, anijet dhe shërbimet postare deri tek bagazhet e linjave ajrore.

“Bëhet fjalë për metoda të ndryshme trafikimi. Kemi parë drogën të mbërrijë në Australi me kontejnerë, me anije, përmes paketave postare, etj. Ndaj kemi të bëjmë me një shumëllojshmëri metodash që tregojnë se krimi i organizuar përshtatet dhe ndryshon metodologjinë”, deklaroi Stephen Fry.

Ndërkohë, policia në Mianmar dogji gjithashtu një ngarkesë droge me vlerë 144 milionë dollarë, me prejardhje nga zonat e largëta të vendit si Jangon, Mandalaj dhe Taungi.

Mianmari mbetet prodhuesi i dytë më i madh i heroinës në botë dhe burimi kryesor për shpërndarjen e metamfetaminës në Azi, që prodhohet kryesisht në rajonet kufitare, jashtë kontrollit të qeverisë.