Bota

Qeveri e re në Irlandë, për herë të parë drejtojnë bashkë dy partitë ish-rivale të luftës civile

Përditësimi i fundit: 27/06/2020 - 20:59
Text size Aa Aa

Micheál Martin është zgjedhur kryeministër i ri i Irlandës pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme që zhvilloi parlamenti.

Martin, 59 vjeç, kryetar i Partisë “Fianna Fáil” do të udhëheqë një koalicion tre-partiak me partinë “Fine Gael” dhe të gjelbërit.

Ai pritet të drejtojë vendin deri dhjetorin e vitit  të ardhshëm, përpara se t’ia dorëzojë sërish pushtetin Leo Varadkarit, kryetarit të “Fine Gael”.

Varadkar ka qenë kryeministër në detyrë që prej zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat u mbajtën në shkurt të këtij viti.

Asnjë parti nuk ia doli të fitonte shumicën në votimet që do t’i lejonin të qeverisnin vetëm, por bisedimet për koalicion u ndalën për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kjo do të jetë hera e parë në histori që ish-rivalët e luftës civile, përkatësisht “Fianna Fáil” dhe “Fine Gael” do të udhëheqin së bashku.

Tregime të lidhura