Bota

SHBA, incidente me armë në Luisvill dhe Kaliforni; 3 të vdekur

Përditësimi i fundit: 28/06/2020 - 12:41
Text size Aa Aa

Një person vdiq dhe një tjetër mbeti i plagosur në një sulm me armë të ndodhur në Luisvill të Shteteve të Bashkuara, në një park që ishte kthyer në qendër të protestave kundër vrasjes së një gruaje me ngjyrë nga policia.

Agresori hapi zjarr ndaj njerëzve të pranishëm në park dhe sipas dëshmive të mbledhura, të shtëna të shumta u dëgjuan. Pak momente më vonë policia mbërriti në vendin e ngjarjes, duke bërë izolimin e saj.

Departamenti i Policisë së Luisvillit bëri me dije në një deklaratë se personi i qëlluar ndërroi jetë në vendngjarje, pavarësisht përpjekjeve të skuadrave të shpëtimit për ta mbajtur në jetë.

Në deklaratë thuhet më tej se policia ka kontrolluar të gjithë parkun dhe se detektivët e seksionit të vrasjeve kanë nisur një hetim, por nuk jepen detaje të tjera.

Parku Xheferson në Luisvill të Kentakit ka qenë qendër e protestave kundër vrasjes së Breonna Taylor, një grua me ngjyrë që u vra nga një grup agjentësh të antidrogës që po kontrollonin banesën e saj, ngjarje e ndodhur rreth 3 muaj më parë.

Vrasja e Taylor u pasua më vonë nga ajo e George Floyd, që bëri që protestat të intensifikoheshin.

Më herët, një ngjarje e ngjashme u verifikua në Kaliforni, ku një person i pajisur me armë zjarri qëlloi në drejtim të një grupi njerëzish, duke vrarë 2 prej tyre dhe plagosur 4, para se të ekzekutohej nga policia.

Tregime të lidhura