Bota

SHBA: Bashkëshortët u dalin me armë automatike protestuesve që po marshonin paqësisht

Përditësimi i fundit: 29/06/2020 - 13:58
Text size Aa Aa

Dy bashkëshortë në Misuri të SHBA-ve u dolën me armë të rënda protestuesve që po marshonin paqësisht teksa shkonin te shtëpia e kryetares së bashkisë, të cilës po i kërkonin dorëheqjen.

Protesta erdhi pasi kryetarja e bashkisë doli në një konferencë për shtyp dhe lexoi publikisht emrat që i kishin shkruar letra ku i kërkonin të shkrinte policinë.

Edhe pse nxjerrja e emrave nuk ishte e paligjshme, kryetarja e bashkisë e hoqi videon nga Facebook dhe kërkoi falje, duke thënë se nuk e kishte bërë me qëllim për të shqetësuar njeri.

Megjithatë, protestuesit e quajtën leximin e emrave një veprim që nuk i shkon për shtat dikujt në post drejtues, ndaj i kërkojnë të dorëhiqet.

Çifti i bashkëshortëve doli kur protestuesit po kalonin pranë shtëpisë së tyre, pa ndaluar aty. Ata ishin të armatosur, gruaja me pistoletë dhe burri me një automatik të rëndë.

Protestat në SHBA kanë vazhduar në të gjithë vendin, që pas vrasjes së George Floyd, i cili vdiq teksa arrestohej dhunshëm nga katër policsë.

Policia varet nga kryetarët e bashkive, ndaj shumë prej protestave u janë drejtuar këtyre të fundit.