Bota

Vladimir Putin kërkon votën për zgjatjen e mandatit

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 17:03
Text size Aa Aa

Presidenti Vladimir Putin u bëri thirrje të martën qytetarëve rusë që të votojnë ndryshimet kushtetuese, që do t’i lejonin atij të kandidonte edhe dy herë për president. Në një fjalim të mbajtur në vendin ku në Luftën II Botërore u zhvillua një betejë e përgjakshme mes Ushtrisë së Kuqe dhe Nazizmit, Putin tha se reformat kushtetuese do të sjellin stabilitet, siguri dhe prosperitet.

“Ne po votojmë për vendin për të cilin po punojmë dhe që duam t’ua lëmë trashëgimi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të tyre. Ndaj jam i sigurt se të gjithë ju do të keni në mend të dashurit tuaj kur të merrni këtë vendim të rëndësishëm, si dhe vlerat që na bashkojnë; e vërteta, ndershmëria, respekti për klasën punëtore, për të moshuarit, familjen dhe kujdesin për fëmijët. Amendamentet, nëse ju i mbështesni, do t’i rregullojnë dhe garantojnë këto të drejta me Kushtetutë”, tha Putin.

Amendamentet nëse miratohen do të ndryshojnë Kushtetutën për herë të parë që prej 93-shit. Në bazë të tyre, me sondazhet që tregojnë se do të mbështeten nga më shumë se dy të tretat e votuesve, Putin do të lejohet të garojë për dy mandate të tjera 6-vjeçare pasi mandati i tij aktual të skadojë në 2024-n. Kjo do t’i garantonte ish-oficerit të KGB-së, aktualisht 67 vjeç, të qëndrojë në detyrë deri në 2036-n, edhe pse Putin nuk e ka deklaruar ende se çfarë do të bëjë.