Bota

Rusia akuzohet për vjedhje informacioni rreth vaksinës ndaj COVID-19

Përditësimi i fundit: 17/07/2020 - 08:29
Text size Aa Aa

Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja akuzuan Rusinë se po mundohet të vjedhë informacion nga ekipet kërkimore që po studiojnë krijimin e një vaksine ndaj COVID-19.

Të tria shtetet u shprehen se grupi i piratëve kibernetikë “APT29”, të cilët mendohen se janë pjesë e inteligjencës ruse, është duke sulmuat institucionet kërkimore dhe farmaceutike të përfshira në zhvillimin e vaksinës ndaj coronavirusit.

"Me kolegët tanë amerikanë dhe kanadezë kemi publikuar një deklaratë të përbashkët ku nënvizojmë se jemi në dijeni që agjencitë e inteligjencës ruse kanë vënë në shënjestër, nga pikëpamja e sulmeve kibernetike, institutet kërkimore të të tria vendeve, ku synohet marrja e informacionit për krijimin e një vaksine ndaj coronavirusit, dhe besoj se mbi këtë fakt, Rusia duhet të japë disa shpjegime”,  Dominic Raab, sekretari britanik i punëve të jashtme.

Rusia mohoi çfarëdolloj përfshirjeje në sulmet kibernetike të hakerave ndaj këtyre institucioneve. Përfaqësuesi i lartë i Dumës ruse, Leonid Slatski tha se Rusia nuk ka nevojë të vjedhë informacione nga askush, pasi ata janë duke testuar vaksinën e tyre.

"Këto deklarata janë të pakuptimta. Nuk mund t’i quaj ndryshe këto pretendime. Rusia ka virologët më të mirë në botë. Në vendin tonë përpjekjet për të gjetur vaksinën ndaj COVID-19 janë në fazën më të avancuar të zhvillimit. Dhe ky është produkt autentik rus”, tha Leonid Slatski.

Edhe qeveria britanike ka akuzuar “aktorët rusë”, që sipas tyre janë munduar të ndërhyjnë edhe në zgjedhjet e vjetshme parlamentare, duke publikuar dokumente tregtare në rrjetet sociale.

"Kemi informacion të sigurt se aktorë rusë u munduan të ndërhynin në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, kryesisht duke publikuar dokumente konfidenciale që kishin të bënin me paktet tregtare midis SHBA dhe Britanisë së Madhe. Mbi këtë çështje është hapur edhe një hetim zyrtar”, tha z. Raab.

"Mbaj mend dhjetëra pretendime të tilla në vitet e fundit. Dua të deklaroj publikisht se Rusia nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet elektorale të asnjë shteti. Në asnjë nivel, as në zgjedhje parlamentare dhe as në zgjedhje presidenciale në asnjë vend të Botës”, u përgjigj z. Slatski.

Në zgjedhjet parlamentare të 2019-s në Britani, kandidati për kryeministër, Xheremi Korbin përdori dokumente tregtare për të akuzuar konservatorët që po “nxirrnin në shitje” sistemin britanik të shëndetësisë, çka nuk solli ndonjë risi pasi fitues i zgjedhjeve u shpall kryeministri aktual Boris Johnson.

Tregime të lidhura