Bota

Turizmi global në vështirësi, industria ka humbur 273 miliardë euro dhe 56% të turistëve

Përditësimi i fundit: 29/07/2020 - 08:30
Text size Aa Aa

Industria e turizmit në shkallë globale nga muaji janar deri në maj të këtij viti ka humbur rreth 273 miliardë euro të ardhura. Janë këto të dhënat më të fundit të bëra me dije nga Organizata Botërore e Turizmit në Kombet e Bashkuara.

Turizmi global ka humbur 273 miliardë euro, numri i turistëve ka rënë me 300 milionë, një rënie me 56% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto të dhëna tregojnë se humbja është tri herë më shumë sesa në vitin 2009 gjatë krizës globale ekonomike.

Numri e turistëve ra me 300 milionë - një rënie prej më shumë se gjysma gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar dhe Organizata Botërore e Turizmit thotë se shifrat do të vijojnë të shënojnë rënie negative.

"Nga Organizata Botërore e Turizmit,  kemi vlerësuar se në varësi të mënyrës së hapjes së kufijve, si reagon tregu dhe natyrisht  roli që luan COVID-19 dhe sjellja sociale.

Të gjithë këta faktorë ndërveprojnë mes tyre dhe ne po shohim 60-80 për qind ulje të turizmit ndërkombëtar për vitin 2020, tha Marcelo Risi, zëdhënës i Organizatës Botërore të Turizmit.

Ekspertët vlerësojnë se vendet në zhvillim do të goditen më rëndë dhe miliona vende punë janë në rrezik në të gjithë botën. Vetëm në Evropë, turizmi ndikon në 27 milionë vende pune dhe industrisë do t’i duhen disa vite për t’u rikuperuar plotësisht.

Dhe çdo zhvillim varet nga ecuria e virusit, pasi me përhapjen e vatrave të reja askush nuk mund të parashikojë asgjë. E ardhmja duket e pasigurt, por kjo verë dëshmoi se njerëzit ende duan të udhëtojnë jashtë për pushime.

Tregime të lidhura