Bota

Turqi, Parlamenti aprovon ligjin për kontrollin e rrjeteve sociale

Përditësimi i fundit: 29/07/2020 - 17:24
Text size Aa Aa

Parlamenti i Turqisë aprovoi në orët e para të së mërkurës një ligj që u jep autoriteteve më shumë pushtet për të kontrolluar rrjetet sociale, duke shtuar shqetësimin për rritjen e censurës.

Ligji në fjalë, i miratuar me kërkesë të presidentit Erdogan, u kërkon grupeve si Facebook dhe Twitter të përcaktojnë përfaqësues në Turqi, të cilët do të kenë për detyrë kontrollin e ankesave kundër përmbajtjes së tyre.

Në rast se kompania që kontrollon median sociale refuzon të caktojë një përfaqësues zyrtar, ligji parashikon gjoba, ndalim të reklamave dhe reduktim të rrezes së transmetimit online.

Me vendim gjykate, fuqia e transmetimit do të reduktohet fillimisht me 50 për qind dhe më vonë deri në 90 për qind. Kufizimet në fjalë do të bëjnë që rrjetet sociale të funksionojnë me ngadalë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit lokalë do të kenë për detyrë t’i përgjigjen kërkesave të përdoruesve për të hequr çdo përmbajtje që shkel privatësinë brenda 48 orëve.

Në rast të kundërt, pas këtij afati, rrjeti social do të mbahet përgjegjës për dëm ndaj personit dhe do të mund të bllokohet brenda 24 orëve.