Bota

Donald Trump kërkon shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale

Përditësimi i fundit: 30/07/2020 - 15:28
Text size Aa Aa

Donald Trump ka kërkuar që zgjedhjet presidenciale të nëntorit të shtyhen.

“Me votimin postal, 2020-ta do jetë viti zgjedhor më i pasaktë e i rremë në histori. Do të ishte turp i madh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtyni zgjedhjet derisa njerëzit të kenë mundësi të votojnë ashtu siç duhet dhe në mënyrë të sigurte,” – shkroi Trump në një postim në Twitter.

Në fillim të këtij muaji, 6 shtete në SHBA po planifikojnë që të zhvillojnë të gjithë procesin zgjedhor me postë, ku mes këtyre vendeve janë California, Utah, Hauai, Colorado, Oregon dhe Uashington.

Prej kohësh, Presidenti aktual i SHBA-ve ka shprehur qëndrimin e tij kundër votimit me postë, procedurë që ishte planifikuar të lehtësohej këtë vit për të shmangur ndikimin negativ në përhapjen e COVID-19.

Thuajse gjysma e shteteve amerikane lejojnë votimin me postë, me kërkesë të vetë votuesit.

Kritikët e kësaj mënyre votimi argumentojnë se zgjedhësit mund të votojnë më shumë se një herë, por sipas studimeve të shumta në rang federal dhe shtetëror, nuk ka prova për manipulime të gjerësishme të rezultateve.