Bota

Mbajtja e maskave, britanikët në dilemë. Ekspertët: Të ashpërsohen masat

Përditësimi i fundit: 30/07/2020 - 17:57
Text size Aa Aa

Në Britani mbajtja e maskave në transportin publik është me detyrim. Por të dhënat e fundit tregojnë se autoritetet në Londër kanë vendosur jo pak gjoba për mosmbajtjen e tyre.

Disa pasagjerë, si kjo grua, besojnë se ato nuk funksionojnë. Kur i kërkohet, ajo e vendos maskën, por mbulon vetëm gojën.

Edhe punonjësit e sektorit të transporteve për Londrën nuk i mbajnë. Ata thonë se nuk janë urdhëruar.

Shefi i tyre, Graham Daly thotë se direktiva zbatohet në 90% të rasteve. I pyetur nëse mund të bëjë më shumë për rritjen e përdorimit, ai përgjigjet:

“Ua kujtojmë mbajtjen njerëzve që prej 15 qershorit, kur maskat u bënë me detyrim. I kemi inkurajuar ata. Në fillim dëshironim ta bënim në rrugë normale, pa shkuar direkt tek gjobat dhe ndëshkimet. Por që prej 4 korrikut kemi konstatuar disa mijëra njerëz pa maskë, të cilët i kemi kthyer mbrapsht”, thotë Daly.

Në supermarkete, klientët duhet të veshin gjithashtu maskën. Ata që nuk e mbajnë mund të gjobiten. Por shumica e supermarketeve thonë se nuk do t’i pengojnë klientët që nuk janë të mbuluar.

Por çfarë ka Anglia ku duket se disa njerëz nuk janë të prirur t’ua vënë veshin rregullave të reja?

Kryeministri Boris Johnson ka njoftuar tashmë se mbajtja e maskës është me detyrim. Por të tjerë argumentojnë se qeveria dhe zyrtarët e saj janë fajtorë për dhënien e mesazheve të gabuara.

“Nuk ka prova që mbajtja gjerësisht e maskave nga publiku që është në gjendje të mirë shëndetësore ndikon tek përhapja e sëmundjes në shoqërinë tonë”, thotë Jonathan Van Tam, epidemiolog.

“Me rritjen e aktiviteteve jashtë shtëpive ne u rekomandojmë njerëzve të veshin një maskë për të mbuluar rrugët e frymëmarrjes”, tha Johnson pak muaj më parë.

Ekspertët thonë se qeveria duhet të bëjë më shumë për forcimin e rregullave.

“Mendoj se duhen rregulla më të forta. Duhet që qeveria t’i forcojë ato aty ku çalojnë. Ta bëjë të qartë se, nëse nuk respektohen rregullat do të ketë penalizime. Sepse rreziku ekziston. Më shumë virus do të thotë një valë e dytë”, deklaron Gary Mclean, profesor në Universitetin Metropolitan të Londrës.

Por nëse britanikët do ta shmangin një valë të dytë, kjo mbetet për t’u parë.