Bota

45 vite nga Akti Final i Helsinkit, Rama: 10 parimet e aktit, frymëzim për të forcuar më tej OSBE-në

Përditësimi i fundit: 01/08/2020 - 10:07
Text size Aa Aa

Si sot 45 vite më parë në Helsinki të Finlandës u firmos i ashtuquajturi Akt Final i Helsinkit, që përmblodhi zotimet e marra gjatë konferencës disa ditore që u mbajt asokohe për bashkëpunimin në Evropë dhe që më vonë i dha jetë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE).

Me rastin e 45-vjetorit të Aktit, kryeministri Edi Rama, në cilësinë e drejtuesit të presidencës së OSBE-së, tha se forcimi i mëtutjeshëm i Organizatës dhe qasja e saj gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë është e lidhur në mënyrë të pandashme me respektimin e plotë dhe zbatimin e parimeve themelore dhe angazhimeve të përcaktuara në Aktin Final të Helsinkit.

“Për të qenë kuptimplotë dhe relevante, paqja dhe demokracia nuk duhet të jenë thjesht fjalët dhe horizonti ynë i zakonshëm, por objektivat tona të përbashkëta. Dekalogu i Helsinkit me dhjetë parimet e tij, përfshirë respektimin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut janë po aq të rëndësishme sot sa ato ishin atëherë, 45 vite më parë, duhet të gjejmë frymëzim në këtë përvjetor, të ecim përpara me vendosmëri të përtërirë, jam i bindur se platforma gjithëpërfshirëse e OSBE-së për dialog dhe veprim të përbashkët e bën atë një forum vendimtar dhe të qëndrueshëm për angazhimin,” – përcolli mesazhin e tij Kryeministri Rama në cilësinë e drejtuesit të Presidencës së OSBE-së.

Akti u firmos nga 35 shtete, të gjitha shtetet e Evropës, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Nuk firmosën vetëm Andorrës dhe Shqipëria, kjo e fundit nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës ishte drejt izolimit të plotë me marrëdhëniet me jashtë dhe prej rreth 10 vitesh kishte ndaluar besimin në Zot.

Deklarata e Aktit të Helsinkit, e cila synonte promovimin e paqes dhe sigurisë, përmblodhi 10 parime kryesore mbi të cilat do të udhëhiqeshin marrëdhëniet e ardhshme mes shteteve firmëtare në të:

  1. Respektim i të drejtave të qenësishme të sovranitetit
  2. Përmbajtje dhe mos-përdorim i kërcënimit dhe forcës
  3. Paprekshmëri e kufirit
  4. Integritet territorial i shteteve
  5. Zgjidhje paqësore e mosmarrëveshjeve
  6. Mos-ndërhyrje në punët e brendshme
  7. Respektim i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, përfshirë lirinë e mendimit, ndërgjegjes, fesë ose besimit
  8. Barazi e të drejtave dhe vetëvendosjes së popujve
  9. Bashkëpunim midis shteteve
  10. Përmbushje me mirëbesim e detyrimeve sipas ligjeve ndërkombëtare

Dyzetepesë vjetorin e Aktit të Helsinkit e kujtoi sot edhe Ambasada Amerikane, e cila theksoi një nga parimet kryesore si mesazh domethënës për kohët e sotme: “Përmbahuni nga kërcënimi apo përdorimi i forcës”.

Shqipëria u bë pjesë dhe përqafoi 10 parimet e Aktit të Helsinkit vetëm pas rrëzimit të diktaturës. Fillimisht më 16 dhjetor 1990, një grup intelektualësh dhe të rinjsh formuan Forumin Shqiptar për Mbrojtjen e të drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Më vonë ky Forum u quajt Komiteti Shqiptar i Helsinkit, komitet që më 22 mars 1992 u bë anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Në vitin 1995, në Konferencën e Budapestit, me riorganizimin e OSBE-së, Shqipëria përfshihet gjithashtu. Sot rreth 25 vite më vonë, ajo kryeson presidencën e radhës.

Tregime të lidhura