Bota

COVID-19, Meksika bëhet e treta në botë për vdekje, përhapje e beftë në Japoni

Përditësimi i fundit: 01/08/2020 - 14:55
Text size Aa Aa

Meksika është bërë tashmë vendi i tretë në botë me numër më të lartë vdekjesh. Në 24 orët e fundit u raportuan 688 vdekje dhe 8548 të infektuar.

Numri total i të infektuarve në Meksikë ka arritur tashmë 424.637, ndërsa të vdekurit arritën 46.688.

Dy vendet me më shumë të vdekur se Meksika janë SHBA-të, me 153.320 dhe Brazili me 92.475 të vdekur.

Rritjet e rasteve janë parë edhe në vende të tjera të botës, si India, e cila ka numëruar 57.118 raste të reja në 2 orët e fundit.

India numëron tashmë 1.7 milionë të infektuar, dhe 1.1 milionë prej tyre janë identifikuar vetëm gjatë muajit korrik. Vdekjet në 24 orët e fundit kanë qenë 764, duke e çuar totalin në 36.551.

Një përhapje e beftë është regjistruar edhe në Okinava të Japonisë, ku autoritetet u kanë kërkuar banorëve të vetizolohen për dy javë.

Kolumbia, gjithashtu, arriti shifrën e zymtë të 10 mijë të vdekurve nga coronavirusi.

Numri më i lartë i të vdekurve në 24 orët e fundit ka qenë 1442, në SHBA.