Bota

''Microsoft'' në negociata për të blerë ''Tiktok''

Përditësimi i fundit: 01/08/2020 - 17:42
Text size Aa Aa

Kompania amerikane “Microsoft” është duke diskutuar blerjen e aplikacionit mjaft të famshëm tashmë, “TikTok”.

Lajmi është raportuar këtë të premte nga New York Times, të cilët citojnë një burim anonim nga brenda kompanisë.

Lajmet për blerjen e mundshme të TikTok nga Microsoft janë raportuar që të premten e kaluar, nga FOX Business.

TikTok zotërohet aktualisht nga “Bytedance”, një kompani kineze me qendër në Pekin.

Fërkimet e fundit midis SHBA-së dhe Kinës kanë bërë që edhe TikTok të futet në qendër të debateve të ndryshme politike.

Presidenti Trump deklaroi vetëm pak ditë më parë se TikTok mund të ndalohej në SHBA, pasi kishte shqetësime se kompania po u vidhte amerikanëve të dhëna personale. 

Trump u akuzua se i bëri këto kërcënime për shkak të disa përdoruesve të rinj amerikanë, të cilët nëpërmjet TikTok përhapën idenë për të blerë bileta te një miting i Trump, dhe pastaj të mos shkonin, që të dukej bosh.

Tiktok, që ka rreth 80 milionë përdorues të rregullt në SHBA, i mohoi menjëherë akuzat dhe ka thënë se nuk i mban fare të dhënat e saj në Kinë, por në SHBA, me një server rezervë në Singapor.

Në fakt, aplikacioni që Tik Tok përdor në Kinë është plotësisht i ndarë nga ai ndërkombëtar, madje quhet Douyin. Këtë javë Tik Tok bëri një deklaratë ku premtonte një rishikim të algoritmeve për të garantuar një nivel të ri transparence.

Veç kësaj, duke parë ngjarjet e fundit me Huawei-n, gjigantin kinez të komunikimit që po ndalohet në disa tregje perëndimore, Tik Tok bëri një lëshim të madh dhe pranoi që të shiste shumicën e aksioneve në SHBA e pronarët kinezë të ishin në pakicë, por kjo u refuzua nga Shtëpia e Bardhë.

Trump ka thënë se të shtunën (1 gusht) do të bëjë kërkesë që TikTok të bllokohet në Amerikë.

Edhe pse në Tiktok ka shumë përdorues republikanë nga SHBA-të, statistikat tregojnë se republikanët janë më shumë personat në moshë të madhe. Pjesa dërrmuese e përduruesve në TikTok janë nën 20 vjeç, të cilët përputhen me profilin e liberalëve.

Sjellja e Trump ngre dyshime edhe për mundësinë e blerjes së TikTok nga SHBA.

Aplikacioni kinez ka pasur një rritje të madhe kohët e fundit, sidomos mes të rinjve.

TikTok ndiqet nga më shumë se 800 milionë persona nga e gjithë bota, shumica nga SHBA dhe India.

Por India e ka bllokuar aplikacionin në vend pas incidentit që ushtria indiane pati me atë kineze në kufi.