Bota

Trump mund të ndalojë TikTok-un

Përditësimi i fundit: 01/08/2020 - 19:30
Text size Aa Aa

Presidenti Donald Trump ka lajmëruar ndalimin e aplikacionit kinez TikTok në Shtetet e Bashkuara, urdhër të cilin ai mund ta nënshkruajë që këtë të shtunë, sipas deklaratave të tij para gazetarëve.

Zyrtarët amerikanë të sigurisë kanë ngritur shqetësime se aplikacioni, i zotëruar nga firma kineze ByteDance, mund të përdoret për të grumbulluar të dhënat personale të amerikanëve. TikTok ka mohuar akuzat se kontrollohet apo se i ndan këto të dhëna me qeverinë kineze. Aplikacioni numëron deri në  80 milionë përdorues aktivë në  Shtetet e Bashkuara dhe një ndalim i tillë do të ishte një  goditje e madhe për ByteDance.

Nuk është e qartë nëse presidenti Trump ka autoritetin për të ndaluar TikTok, si do të hynte në fuqi një ndalim i tillë dhe cilat do të ishin sfidat me të cilat presidenti do të përballej. Microsoft raportohet se ka qenë në diskutime për ta blerë aplikacionin nga ByteDance, por kreu amerikan i shtetit hodhi dyshime nëse një marrëveshje e tillë do të lejohet të përfundohet.

Lëvizja për të mbyllur TikTok vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes administratës Trump dhe qeverisë kineze janë të tensionuara për një sërë çështjesh.