Bota

OBSH-ja bën bilancin e COVID-19, situata mbetet ende shqetësuese

Përditësimi i fundit: 02/08/2020 - 10:35
Text size Aa Aa

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se pandemia e COVID-19 përbën ende një emergjencë ndërkombëtare.

OBSH mblodhi në ditët e fundit në një takim Komitetin e Emergjencës, për të vlerësuar situatën globale dhe për të ofruar rekomandime për përgjigjen ndaj epidemisë.

Pas takimit, komiteti ra dakord unanimisht se pandemia është një kërcënim për shëndetin publik dhe se rreziku i saj në nivel global mbetet shumë i lartë.

Komiteti i Emergjencës inkurajoi individët, të rinjtë në veçanti por edhe komunitetet, që të mbeten vigjilentë me qëllim parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së COVID-19.

Gjithashtu, ai përgatiti një seri këshillash për t’i zbatuar kundër pandemisë. Në veçanti, Komiteti sugjeroi që OBSH të bashkëpunojë me organizatat globale dhe rajonale dhe të mbështesë shtetet anëtare në garantimin e shërbimeve shëndetësore, me qëllim diagnostikimin dhe kujdesin në raste infektimi.

Një tjetër këshillë drejtuar vendeve të ndryshme ishte financimi i kërkimeve lidhur me coronavirusin. Deri të shtunën, më 1 gusht, në rang global u konfirmuan 17 milionë e 396 mijë e 943 raste me COVID-19 dhe 675 mijë e 60 vdekje në total.

Ndërkohë, rastet e reja ishin 289 mijë e 321 infektime dhe 6 mijë e 142 vdekje, bën të ditur OBSH në faqen e saj të internetit.