Bota

Protesta vijojnë, takimi Lukashenko-Putin, biseda që përcaktojnë të ardhmen e Minsk

Përditësimi i fundit: 14/09/2020 - 10:50
Text size Aa Aa

Kur të gjithë kërkojnë që t’i jepet fund krizës politike në Bjellorusi, presidenti Aleksandër Lukashenko pritet të takohet këtë të hënë në Moskë me homologun rus Vladimir Putin, i cilësuar shpesh prej tij si vëllai i madh.

Kjo do të jetë vizita e parë jashtë vendin e Lukashenkos që prej datës 9 gusht kur u zhvilluan zgjedhjet presidenciale të cilat kontestohen nga opozita dhe nuk njihen nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Por nga ana tjetër, shefi i Kremlinit e njeh z. Lukashenko si liderin legjitim të Bjellorusisë, e madje ka deklaruar se është gati të dërgoje forcat ruse nëse për shkak të protestave, situata del jashtë kontrollit.

Disa analistë spekulojnë se z. Putin do të kërkojë lidhje më të thella ekonomike dhe politike me Minsk si çmimi për mbështetjen e tij.

Bisedimet mes dy liderëve pritet të zhvillohen në resortin rus të Soçit, ndërsa një stërvitje e përbashkët ushtarake fillon pranë qytetit perëndimor Bjellorus Brest.

Deri më tani lideri bjellorus nuk ka kthyer asnjë përgjigje nëse do të pranojë të hyjë në dialog me opozitën me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar sikundër OSBE.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të gjendet gjuha e dialogut, ndërsa është duke u përgatitur edhe një listë me emra zyrtarësh ndaj të cilëve do të ndërmerren sanksione për dhunë ndaj protestuesve dhe manipulim të zgjedhjeve.

Nëse Lukashenko siguron mbështetje nga Putini për të shuar kundërshtimin ndaj sundimit të tij, do të ishte e rëndësishme në krijimin e së ardhmes së Bjellorusisë.

Nga ana tjetër protestat kundër presidentit Lukashenko vijojnë në rrugët e Minsk; me mijëra qytetarët kërkojnë largimin e tij ku nuk mungojnë as përplasjet me policinë e po ashtu edhe arrestimet e qindra protestuesve.

Tregime të lidhura