Bota

Rihapen biznesnet në Hong Kong pasi testimi masiv rezulton me 42 të infektuar

Përditësimi i fundit: 15/09/2020 - 21:12
Text size Aa Aa

Hong Kongu do të rihapë lokalet, pishinat dhe parqet, pasi rezultatet e një testimi masiv nga qeveria kineze për raste me COVID-19 kanë dalë positive me vetëm 42 të infektuar.

Ky lajm u komunikua nga sekretarja kineze e shëndetit, e cila qartësoi se hapja e këtyre bizneseve do të bëhej pas datës 18 shtator. Megjithatë, rregulli i ndalimit të grumbullimeve me më shumë se katër veta vazhdon të jetë aktiv, ashtu sikurse edhe masat e tjera të vendosura nga Kina për parandalimin e pandemisë.  

Gjithashtu u theksua nga shefja ekzekutive e Hong Kongut se rihapja e këtyre bizneseve do të ishte në dobi të ekonomisë kineze, e cila është në rënie që pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19.

“Realiteti është se shumica e punonjësve dhe pronarëve duan të punojnë e të ushtrojnë bizneset, e jo t’i nënshtrohen ndihmave të qeverisë. Kështu ne do të fokusohemi në rimëkëmbjen e ekonomisë, qoftë me aktivitetet ekonomike lokale, apo me pikat e udhëtimit me vendet e tjera. Ne shpresojmë të ringjallim aktivitetet e njerëzve, për të nxitur ekonominë lokale,” – tha Carrie Lam, shefja ekzekutive e Hong Kongut.

Megjithëse rastet me COVID-19 janë ulur qeveria e Hong Kongut bën thirrje se njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat.