Bota

Rusia do i japë Bjellorusisë një hua prej 1.2 miliardë eurosh, njofton Putin

Përditësimi i fundit: 15/09/2020 - 11:34
Text size Aa Aa

Rusia do i japë Bjellorusisë, të cilën e ka cilësuar si aleaten më të afërt, një hua prej 1.2 miliardë eurosh, njoftoi presidenti Vladimir Putin gjatë së hënës.

Deklarata ka ardhur pas takimit të liderit rus me homologun e tij bjellorus Alexander Lukashenko në një resort në qytetin e Soçit.

Ky është takimi i parë mes dy liderëve që nga zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit ku Lukashenko u shpall fitimtar.

Opozita, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar rezultatin e zgjedhjeve, ku Lukashenko pas 26 vitesh rrëmbeu sërish fitoren, me 80 për qind të votave dhe kanë dënuar dhunën e ushtruar kundër protestuesve.

Për të qetësuar protestuesit, lideri bjellorus, i cilësuar dhe si “diktatori i fundit i Europës”, ka propozuar ndryshime në Kushtetutë, por opozita e ka hedhur poshtë duke e cilësuar si një “manovër për të blerë më shumë kohë”.

Putin, i cili e ka përgëzuar Lukashenkon për fitoren, i ka përshkruar ndryshimet kushtetuese si “logjike, në kohën e duhur dhe të përshtatshme”.

“Ne e konsiderojmë Bjellorusinë si aleaten më të afërt dhe sigurisht ashtu siç ju kam thënë shpesh në bisedat tona telefonike, ne i qëndrojmë zotimeve tona”, i tha ai Lukashenkos.

“Kemi rënë dakord që t’i japim Minskut që hua prej 1.2 miliardë eurosh në këto kohë të komplikuara”.

Të hënën kanë nisur dhe stërvitjet ushtarake të përbashkëta mes dy vendeve, ndërkohë që Putin siguroi se trupat ruse në Bjellorusi “do të kthehen në stacionet e tyre të përhershme në fund të stërvitjes”.

Përpara zgjedhjeve, Rusia dhe Bjellorusia kanë pasur disa mosmarrëveshje të vogla, teksa Lukashenko e ka akuzuar Kremlinin se po ushtron presion mbi pavarësinë e Bjellorusisë.

Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, Kremlini është krejtësisht kundër idesë së protestave masive që bëjnë  thirrje për dorëheqjen e liderit bjellorus, me frikën se mund  të nxisë të njëjtën gjë edhe në Rusi.

Rreth 150 mijë qytetarë marshuan në rrugët e Minskut të dielën duke bërë thirrje për dorëheqjen e Lukashenkos, ndërkohë që Ministria e Brendshme konfirmoi se ka arrestuar 774 protestues.

 

Lexoni gjithashtu: 

Putin pret presidentin bjellorus, sugjeron zgjidhje të brendshme të krizës

Protesta vijojnë, takimi Lukashenko-Putin, biseda që përcaktojnë të ardhmen e Minsk

Kriza në bjellorusi, dhunë dhe tela me gjemba për të ndaluar protestuesit

Tregime të lidhura