Bota

Qetësi në Lindjen e Mesme? EBA dhe Bahrein marrëveshje për të normalizuar raportet me Izraelin

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 07:21
Text size Aa Aa

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan një ditë më parë një marrëveshje për të normalizuar raportet e tyre me Izraelin, duke u bërë shtetet e para arabe në një çerek shekulli që thyejnë një tabu të gjatë, cilësuar si një hap strategjik i vendeve të Lindjes së Mesme kundër Iranit.

Marrëveshja u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në praninë e Presidentit Donald Trump, i cili e cilësoi marrëveshjen “agimi i ri për Lindjen e Mesme”.

Para një grupimi njerëzish në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, Kryeministri Benjamin Netanyahu nënshkroi marrëveshje me Ministrin e Jashtëm të Emirateve, Sheik Abdullah bin Zayed al-Nahyan dhe Ministrin e Jashtëm të Bahreinit Abdullatif Al Zayani.

"Sot bota sheh se ata po zgjedhin bashkëpunimin mbi konfliktin, miqësinë mbi armiqësinë, prosperitetin mbi varfërinë dhe shpresën mbi dëshpërimin. Ata po zgjedhin një të ardhme në të cilën arabët, izraelitët, myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët mund të jetojnë së bashku, të luten së bashku dhe  të ëndërrojnë së bashku krah për krah, në harmoni, bashkësi dhe paqe”, është shprehur presidenti Trump.

Shtetet e Gjirit bëhen dy vende të tjera Arabe që njohin Izraelin që nga themelimi i tij në 1948. Në vitin 1979 dhe 1994 Izraeli nënshkroi një traktat paqeje me Egjiptin dhe Jordaninë.

Trump shpreson që vendet e tjera do të ndjekin të njëjtin shembull, por palestinezët u kanë kërkuar që të mos e bëjnë një hap të tillë  ndërsa konflikti i tyre mbetet i pazgjidhur.

Për dekada, shumica e shteteve arabe kanë bojkotuar Izraelin, duke këmbëngulur se ata do të vendosnin raporte reciproke vetëm pasi të zgjidhej mosmarrëveshja e Izraelit me Palestinën. Të ashtuquajturat "Marrëveshjet e Abrahamit" nuk trajtojnë konfliktin e gjatë izraelo-palestinez, por ato mund t'i hapin rrugën një afrimi më të gjerë arabo-izraelit pas dekadash armiqësie.

Marrëveshjet të tilla shënojnë një fitore të mundshme diplomatike për Trump. Kjo marreveshje e Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit pasqyron shqetësimin e tyre të përbashkët për rritjen e ndikimit të Iranit në rajon dhe zhvillimin e raketave balistike.

Por për të vërtetuar se mosmarrëveshjet rajonale do të vazhdojnë ndërsa konflikti Izraelo-Palestinez mbetet i pazgjidhur, një seri protestash u zhvilluan  jashtë Shtëpisë së Bardhë ndërsa ushtria izraelite bëri me dije se gjatë ceremonisë së marrëveshjes raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit. Ne Gaza po ashtu u zhvilluan protesta kundër kësaj marrëveshjeje.

 

Lexoni gjithashtu:

OBT mbështet Kinën. Organizata i shpall të paligjshme tarifat tregtare të SHBA

Zjarret në SHBA, Donald Trump mohon shkencën dhe parashikon ulje temperaturash

Netanjahu video-mesazh për Kosovën me rastin e Vitit të Ri Hebraik

Tregime të lidhura