Bota

Turqia dërgon sërish anijet e kërkimit, rindizen tensionet në ujërat e Mesdheut Lindor

Përditësimi i fundit: 12/10/2020 - 11:31
Text size Aa Aa

Kur ende nuk janë ulur tensionet mes Athinës dhe Ankarasë, marina turke bën me dije se një anije kërkimi do të dërgohet  në ujërat e diskutueshme të Mesdheut Lindor.

Sipas një mesazhi  dërguar  nga sistemi i alarmit detar NAVATEX anija Oruç Reis’ do të operojë nga data 12 deri në 20 tetor në të njëjtën zonë ku eksploroi gjatë muajit gusht dhe shtator duke përfshirë edhe zonën e ishullit grek Kastellorizo.

Anija e kerkimit do të shoqërohet edhe nga dy anije të tjera Ataman dhe Cengiz Han.

Greqia pretendon sovranitetin mbi ujërat përreth Kastellorizo, por Turqia e hedh poshtë, duke këmbëngulur se ajo ka të drejta më të gjera në Mesdheun Lindor për shkak të vijës së saj më të gjatë bregdetare.

Tensionet mes dy shteteve nisën gjatë muajit gusht kur Turqia dërgoi një anije vëzhgimi në zonat ku Greqia, Turqia dhe Qipro pretendojnë se kanë të drejtë të kërkojnë për burime natyrore.

Për shkak të situatës së krijuar në ujërat e Mesdheut, Bashkimi Evropian ka shprehur solidaritet me Greqinë duke paralajmëruar Turqinë që të mos ndërmarrë aksione në të kundërt do të përballet me sanksione.

Ankaraja e ka cilësuar paralajmërimin jo konstruktiv por vendimi i saj më i fundit do të shtojë tensionet me Brukselin.

Mediat turke bëjnë me dije se Ministri i Jashtëm gjerman Heikko Mass pritet të vizitojë Ankaranë të mërkurën ku situata në Mesdheun Lindor do të jenë në qendër të bisedimeve.

Greqia dhe Turqia janë të dyja vende anëtarë të Natos dhe kanë një histori të mbushur me konflikte për çështjen e kufijve apo konkurojnë duke pretenduar për të drejta në kufijtë ujorë.

Më 10 gusht, Ankaraja dërgoi një anije kërkimi në ujërat e Mesdheut Lindor për të eksploruar zonën, e cila sipas Athinës zyrtare i përket Greqisë. Turqia nuk pajtohet me këtë qëndrim duke pretenduar të drejtat e shfrytëzimit të burimeve natyrore.

 

Lexoni gjithashtu:

Tensionet në Mesdheun Lindor: Raportet Greqi - Turqi, temë kryesore e bisedimeve në samitin e BE

Qiproja Veriore zhvillon zgjedhjet presidenciale nën tensionet që kanë përfshirë Mesdheun

 

Tregime të lidhura