Bota

“Dita e të Vdekurve”, pandemia e Covid-19 zbeh festën meksikane

Përditësimi i fundit: 17/10/2020 - 18:36
Text size Aa Aa

Rritja e numrit të rasteve me COVID-19 dhe vendosja e masave kufizuese për parandalimin e pandemisë ka penguar përgatitjet për festën e njohur meksikane “Dita e të Vdekurve”.

Masat e ndalimit të daljes nga banesat dhe mbyllja e varrezave që janë shënjestra e kësaj feste ka rrezikuar edhe industrinë e prodhimit dhe shitjes së luleve karakteristike të kumakut të përdorura gjatë nderimit të të vdekurve.

Pronarët e këtij biznesi shprehen se janë të shqetësuar për këtë situate, pasi ekonomia do të rrënohet.

“Në këto momente ne kemi mbjellë 50 për qind të asaj çka ne mbjellim çdo vit. Pse? Sepse ne kemi vuajtur për shkak të luleve që na kanë ngelur pa u shitur, të cilat ne na është dashur t’i hedhim. Ka pasur shumë humbje këtë vit.”, tha Concepcion Cruz, rritëse lulesh në Meksikë.

Megjithatë pavarësisht zhgënjimit që kjo situate sjell në fushën ekonomike të bizneseve, meksikanët shprehen se kufizimet janë efektive në parandalimin e pandemisë.

“Ne jemi të shqetësuar. Ne nuk mund të shkojmë në varreza, por do të ishte më keq nëse vdekjet shtohen. Kështu që njerëzit duhet të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre. Është e rëndësishme që ne të gjithë të kujdesemi për veten”, u shpreh Columba Lopez, drejtuese e Komisionit të Burimeve Natyrore dhe Zhvillimit Rural.

Ndërkohë disa të tjerë shprehen se janë të pakënaqur nga anulimi i kësaj feste, për shkak se nuk mund të nderojnë familjarët e tyre të vdekur si pasojë e COVID-19.