Bota

''Amerika është rikthyer'', Biden në Konferencën e Sigurisë: Të ruajmë themelet e demokracisë

Përditësimi i fundit: 20/02/2021 - 09:07
Text size Aa Aa

Amerika do të rikthehet në rolin e saj të gardianit global të demokracisë. Premtimi është bërë nga presidenti Joe Biden, në fjalimin e tij në konferencën e sigurisë të Mynihut.

 “Ne do të kthehemi dhe unë jam burrë i fjalës. Amerika është kthyer. Flas sot si president i Shteteve të Bashkuara në fillim të mandatit të administratës sime dhe i përcjell botës mesazhin e qartë: Amerika është kthyer”, u shpreh Joe Biden.

Për Biden, partneriteti mes Evropës dhe SHBA është dhe duhet të mbetet një gur themeli për të gjitha objektivat që palët synojnë të arrijnë në shekullin e 21-të.

 “SHBA janë plotësisht të përkushtuara në Aleancën e NATO-s. Dhe unë mirëpres investimet e Evropës për kapacitetet ushtarake. Ne do t’i bazohemi nenit 5, që është një garanci: sulmi ndaj njërit prej nesh është sulm ndaj të gjithë neve”, u shpreh më tej presidenti.

Sundimi i demokracisë në botë ka qenë një tjetër pikë e prekur nga presidenti amerikan në fjalimin e tij.

 “Demokracia duhet të mbizotërojë. Ne duhet të tregojmë se ajo është e domosdoshme për popujt tanë. Demokracia nuk është aksidentale, ne duhet ta mbrojmë, të luftojmë për të, ta përforcojmë dhe ta ripërtërijmë”, shtoi ai.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili vlerësoi se, NATO ka nevojë për një shtysë të re që të jetë një garant më i fortë i sigurisë.

 “Unë besoj tek NATO, besoj se NATO ka nevojë për një aksion të ri politik dhe një sqarim të koncepteve të tij strategjike. Gjithashtu, NATO-s i duhet një qasje politike më e fortë dhe unë besoj se përfshirja maksimale e Evropës në këtë Aleancë do të thotë që vendet anëtare të jenë më aktive për sigurinë dhe për autonominë strategjike”, tha presidenti francez.

Edhe kancelarja Angela Merkel deklaroi se Gjermania është gati për një kapitull të ri në marrëdhëniet ndër-atlantike, në kuadër të të cilës Shtetet e Bashkuara dhe Evropa të ndjekin një agjendë të përbashkët.

 “Ne nuk do të kemi gjithnjë të njëjtat interesa. Nuk kam iluzione për këtë dhe për dallimet tona duhet të flasim hapur. Por, nisur nga parimet dhe vlerat tona, apo nga besimi tek demokracia dhe aftësia e saj për të vepruar, ne kemi një terren të gjerë të përbashkët”, u shpreh kancelarja e Gjermanisë.

Kancelarja shtoi se sfida të mëdha si pandemia dhe ndryshimet e klimës duhet të përballen së bashku dhe se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të kenë një qasje të përbashkët ndaj Rusisë.

Lexoni gjithashtu:

Varianteve e reja të COVID-19, BE planifikon të blejë 500 milionë vaksina gjatë vitit 2021

Tregime të lidhura