Bota

Teksasi në prag të katastrofës, Biden pritet të shpallë gjendjen e emergjencës. 13 milionë persona pa ujë

Përditësimi i fundit: 20/02/2021 - 20:02
Text size Aa Aa

Presidenti Joe Biden pritet të shpallë gjendjen e katastrofës për Teksasin, pas stuhive të pazakonta të akullit dhe dëborës që përfshinë jugun e Shteteve të Bashkuara.

Edhe pse energjia elektrike po rikthehet dhe temperaturat parashikohen të rriten, afro 13 milionë persona në Teksas kanë pasur vështirësi në furnizimin me ujë të pastër dhe madje janë detyruar të ziejnë dëborë për të pasur ujë. Me qindra prej tyre kanë qëndruar në radhë për të marrë disa bidonë nga ndihmat e ofruara.

Presidenti Biden ka deklaruar se do të vizitojë Teksasin, ndërsa shpallja e gjendjes së katastrofës do t'i hapë rrugë shpenzimit të më shumë fondeve federale për të ndihmuar situatën.

Teksasi ka një nga sistemet më të mëdha të energjisë së erës në botë dhe kriza e energjisë ka bërë që disa politikanë të pyesin nëse shteti duhet të kalojë në sistemin me lëndë djegëse  në vend të energjisë së erës.  

Miliona qytetarë në Teksas mbetën në errësirë gjatë javës pas stuhisë vdekjeprurëse të dimrit, duke i lënë familjet pa energji ndërsa temperaturat ranë në nivele rekord.

Që nga e premtja pasdite, të paktën 20 njerëz kanë vdekur në zonën e Hjustonit për shkak të kushteve të motit, ndërsa në të gjithë SHBA kanë humbur jetën 60 persona.

Tregime të lidhura