Bota

Heshtje për viktimat, homazhe për 500 mijë amerikanë që humbën betejën me COVID-19

Përditësimi i fundit: 23/02/2021 - 16:35
Text size Aa Aa

Për kë bien kambanat në Uashington? Në përkujtim të 500 mijë qytetarëve amerikanë të cilët kanë humbur betejën me COVID-19.

Një shifër e cila fatkeqësisht vijon të rritet duke shënuar një nga nivelet më të larta të vdekjeve, 20 për qind të rreth 2.5 milionë viktimave në të gjithë botën.

Në perëndim të diellit në nder të tyre u mbajt një minutë heshtje. Pjesë e ceremonisë ishte edhe Presidenti Biden. Shtëpia e Bardhë u ndriçua nga drita e qirinjve dhe flamujt amerikanë në ndërtesat zyrtare do të qëndrojnë të ulur për pesë ditë. Pak para homazheve presidenti Biden dha mesazhin e tij për kurajë.

"Njerëzit që humbëm ishin të jashtëzakonshëm. Ata krijuan e lanë pas breza. Të lindur, të emigruar në Amerikë. Shumë prej tyre dhanë  frymën e fundit në Amerikë. Si komb, ne nuk mund ta pranojmë një fat kaq mizor. Edhe pse e kemi luftuar këtë pandemi për kaq kohë, ne duhet të rezistojmë dhe të mos bëhemi të pandjeshëm ndaj trishtimit.

Ne duhet t'i rezistojmë shuarjes të secilës jetë thjesht si një statistikë apo një turbullirë. Dhe duhet ta bëjmë këtë për të nderuar viktimat. Por po aq e rëndësishme është që të kujdesemi për ata që jetojnë dhe mbetën pas”, tha presidenti Biden.

Përtej viktimave, shtetet amerikane po  dyfishojnë përpjekjet për të marrë sa më shpejt  vaksinën pasi moti i acartë i javës së kaluar detyroi  mbylljen e  klinikave çka, ngadalësoi shpërndarjet e dozave  dhe detyroi dhjetëra mijëra njerëz të humbnin inokulimin.

Tregime të lidhura