Biden i shpreh shqetësim për të drejtat e njeriut mbretit saudit Salman

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Gjatë një telefonate me mbretin saudit Salman të enjten, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden theksoi nevojën për respektimin e të drejtave të njeriut, theksim ky që vjen pak përpara botimit të një raporti të inteligjencës amerikane për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Zyrat për shtyp të dy drejtuesve nuk e përmendën raportin në fjalë, i cili pritet të de klasifikohet dhe të dalë në publik së shpejti, por në fillim të javës presidenti amerikan tha se e kishte lexuar atë.

“Biden pohoi rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit,” – tha në deklaratë për shtyp Shtëpia e Bardhë duke njoftuar për telefonatën mes dy udhëheqësve.

Paraardhësi i Biden, Donald Trump, e kishte telefonuar mbretin Salman gjatë javës së tij të parë të detyrës dhe pikërisht udhëtimi i parë jashtë SHBA-së i Trump pati qenë në Arabinë Saudite, e cila mbetet një nga aleatët kryesore në Lindjen e Mesme.

Mbetet për t’u parë se çfarë qëndrimi do të mbajë administrata e re amerikane ndaj gjetjeve të raportit të inteligjencës mbi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Khashoggi u vra në tetor 2018 pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll për të mbledhur dokumentet që i duheshin për t’u martuar. Vrasja shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe dëmtoi ndjeshëm reputacionin ndërkombëtar të Arabisë Saudite.

Në vlerësimin e inteligjencës, sikurse raporton Reuters, dyshohet se Princi Mohammed bin Salman ishte bashkëpunëtor në vrasje.

Një raport i Kombeve të Bashkuara për vrasjen e Khashoggi deklaroi më parë se ekspertët e konsultuar e gjetën “të pa-konceptueshme që një operacion i kësaj shkalle të mund të zbatohej pa dijeninë e princit”.

Biden foli me mbretin Salman në vend të Princit, i cili shihet gjerësisht si udhëheqësi i Mbretërisë në vend të babait të tij 85-vjeçar.

Në një konferencë shtypi të enjten, sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se kishte “një varg veprimesh që ishin në tryezë” dhe se “administrata është përqendruar në ri-kalibrimin e marrëdhënies me Arabinë Saudite”.

“Sigurisht që ka fusha ku ne do të shprehim shqetësime dhe do të lëmë të hapur mundësinë e përgjegjësisë,” – tha ajo.

Biden ka ndryshuar strategjinë e mbështetjes ndaj Arabisë Saudite. Në deklaratën e parë pas zgjedhjes Biden u zotua t’i japë fund mbështetjes ushtarake për ofensivën në Jemen, diçka që as Trump dhe as Barak Obama nuk e kishin bërë më parë.

“Mbreti Salman pohoi gatishmërinë e Mbretërisë për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse politike në Jemen dhe përpjekjen e saj për të arritur sigurinë dhe zhvillimin e popullit Jemenas,” – tha në një deklaratë për shtyp agjencia Saudite e Lajmeve.

Ndërkohë Biden është angazhuar për të ndihmuar sauditët të mbrojnë territorin e tyre “përballë sulmeve nga grupe të Iranit,” deklaroi Shtëpia e Bardhë.

Etiketimet

Tensione mes Francës dhe Britanisë për emigrantët, zgjidhja e problemit ende larg

Në kampin ku kanë qëndruar 27 personat që pak ditë më parë u mbytën në kanalin e La Manshit janë të vështira. Që prej 2018-s,...

LSDM pa “Alternativë”, ende pa pakt me partinë shqiptare për koalicion

Në mbledhjen e Kryesisë Qendrore, partia opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut "Alternativa" ka autorizuar kryetarin Afrim Gashi që të vazhdojë bisedimet për t’u...

8 viktima nga COVID-19, mbi 400 raste të reja në 24 orë

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri ka pasur 8 humbje jete dhe mbi 400 raste të reja me COVID-19. Viktimat janë dy qytetarë nga...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER