Presidenti Joe Biden regjistroi fitoren e parë legjislative në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila miratoi paketën 1.9 trilionë dollarëshe për lehtësimin e efekteve të coronavirusit.
Demokratët, që kontrollojnë Dhomën, e miratuan masën me shumicë partiake prej 219 votash pro dhe 212 kundër dhe e dërguan në Senat, ku planifikuan një manovër legjislative për të mundësuar miratimin e saj pa mbështetjen e republikanëve.
Plani amerikan i shpëtimit do të paguajë për vaksinat dhe pajisjet mjekësore, si dhe do t’u dërgojë një raund tët ri ndihmash financiare për individët, bizneset e vogla dhe qeveritë shtetërore e vendore.
Demokratët deklaruan se paketa nevojitej për të luftuar pandeminë, që ka vrarë mbi 500 mijë amerikanë dhe ka lënë miliona të tjerë të papunë.
“Më shumë se një vit më parë, nga kjo pandemi lindi një krizë ekonomike. Qytetarët amerikanë duhet ta dinë se qeveria e tyre është këtu për ata. Dhe sikurse ka thënë presidenti Biden, ndihma po vjen”, tha Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Nga ana e tyre republikanët deklaruan se shumica e paketës së ndihmës nuk ishte e nevojshme. Sipas tyre, vetëm 9 për qind e totalit të saj do të shkojë direkt në luftimin e virusit.