Banorët e Kabulit pritën jashtë bankave ditën e mërkurë për të tërhequr paratë e tyre, teksa agjencitë financiare në kryeqytetin afgan lajmëruan se do të rihapeshin.
Shumë banka dhe institucione të tjera financiare u mbyllën më 15 gusht, pak përpara se presidenti afgan Ashraf Ghani të largohej dhe talebanët të merrnin nën kontroll qytetin.
Në orët e fundit një zëdhënës i talebanëve tha se jeta në Kabul do të kthehet në normalitet dhe se bankat do të rihapen rregullisht nga e enjtja. Sidoqoftë, kjo mbetet për t’u parë.
Një numër i vogël bankash rifilluan operacionet e tyre të mërkurën, por tërheqja e parave në formë kesh ishte veprimi i vetëm që kryen.
Në të njëjtën kohë, bankat kanë vendosur një kufi për sasinë e parave që mund të tërhiqet, përkatësisht 200 dollarë amerikanë në ditë për person.
“Problemi më i madh me të cilin po përballem aktualisht është se unë nuk kam një punë, jam në gjendje të rëndë ekonomike dhe nuk mund të tërheq paratë e mia nga banka. Ndaj po has në shumë vështirësi”, thotë Abdul Ahad, banor i Kabulit.
Persona të shumtë qëndruan në radhë jashtë bankave, por shumë prej tyre nuk mundën të kryenin veprimet brenda orarit të rregullt.