Një Studimi i publikuar në revistën shkencore Nature Genetics dhe i bërë nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit, zbulon një gjen që dyfishon rrezikun e dështimit të mushkërive dhe vdekshmërisë nga koronavirusi.
Gjetjet treguan se 60% e njerëzve me prejardhje nga Azia Jugore dhe 15% e njerëzve me prejardhje evropiane kanë versionin me rrezikshmëri të lartë të gjenit.
Duke u bazuar në punën e mëparshme gjenetike, studiuesit përdorën një kombinim të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së re molekulare, për të identifikuar gjenin e saktë – të quajtur LZTFL1 – i cili është përgjegjës për rreziqet në rritje.
Studiuesi kryesor, profesori James Davies, tha se zbulimi se gjeni i rrezikshëm nuk i prek të gjitha popullatat në mënyrë të barabartë, është shumë i rëndësishëm.
Sipas tij, një përzierje komplekse faktorësh – përfshirë moshën në veçanti – kontribuon në rrezikun individual të secilit person.
“Edhe pse ne nuk mund ta ndryshojmë gjenetikën tonë, rezultatet tona tregojnë se njerëzit me gjenin me rrezik më të lartë, ka të ngjarë të përfitojnë nga vaksinimi” – tha Davies.
Vaksinat janë kyçe dhe ndihmojnë në reduktimin e ndjeshëm të këtyre rreziqeve, thanë studiuesit.
Në të gjithë botën, deri më tash, janë dhënë mbi 7 miliardë vaksina.