Politika e tiroideve

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Fushata elektorale ka nisur dhe goja e politikës shqiptare po flet. Dy janë thirrjet kryesore që ulëret vazhdimisht në veshët e çdokujt. Opozita thotë se duhet të merret inat “një kryehajdut, kriminel që ka marrë peng shtetin”. Ndërsa qeveria thotë se duhet të kihen frikë “ata harbutë të uritur për të shqyer, që qëndrojnë pas manekinit që kanë vënë përpara”.

Ky tërbim i gjuhës politike nuk shkaktohet nga ndonjë mllef që politikanët kanë ‘mes vetit’. Përkundrazi, është një kalkulim i kulluar që vjen pasi në kushtet kur politikës qendrore i mungojnë arritjet, përballja me elektoratin nuk mund të bëhet mbi bazën e argumenteve a fakteve. Duhet diçka irracionale, më e fuqishme se arsyeja, që ta shtyjë votuesin të ngjyrosë kutinë e zbrazët të fletës së votimit. Frika dhe inati shërbejnë si zgjidhja e këtij problemi, sepse janë ndjesi të furishme që i japin energji dhe më motivpaktit. Ato aktivizohen nga një retorikë e egërt e liderëve politik, e cila nuk synon të pushtojë mendjen, as zemrën, por tiroidet; gjëndrat që prodhojnë hormonet e frikës dhe inatit.

Politika e tiroideve është një shpatë që vërvitet në ajrin politik si nga opozita dhe nga pozita. Ndryshon vetëm helmi që lyhet në majë. Opozitat kryesisht synojnë të përcjellin inat kundër kundërshtarit, duke e portretizuar atë si të pabesë karshi detyrës publike që mban. Urrejtja e brendëson padrejtësitë e ‘armikut partiak’, ndaj e shndërron politiken në personale dhe personalen në politike. Kësisoj, inati motivon vrullshëm aktivitet elektoral, çka i vjen në ndihmë opozitës, e cila si objektiv të parë ka inkurajimin e votave kundër pushtetit.

Fjalia ‘votuesit e inatosur janë votues të sigurtë’ e provoi veten si aksiomë e marketingut politik edhe përgjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në SHBA. Duke i konturuar zgjedhjet si një “betejë politike për të rifituar shpirtin e kombit”, dhe Trump si “një prezencë toksike”, demokratët arritën që të motivonin në mes të pandemisë një shumicë amerikanësh drejt votimit. Konkretisht, 62.0% e elektoratit dolën të votonin, karshi 54.8% në vitin 2016.

Ndërkohë, autoriteti politik majën e shpatës e lyen me helmin e frikës, që lind atëherë kur popullsia manipulohet të mendojë se po rrëshket drejt një terreni të pasigurtë. Shembulli më elokuent vjen nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili ka fituar fushata të tëra duke e portretizuar filantropin George Soros “si një njeri që do të shkatërrojë kombin hungarez duke e përmbytur me emigrant dhe refugjatë.” Nuk ka asnjë të vërtetë tek kjo fjali, megjithatë shoqëria hungareze vazhdon të drejtohet nga Orban. Një fakt i hidhur i efektshmërisë që ka frika në garat zgjedhore.

Të njëjtën strategji ‘mos shkoni tek djalli, po rrini këtu tek demonët’, po ndjek dhe mazhoranca në Shqipëri. Ajo po i pikturon me fjalë të vjetërit e politikës si një rrezik më i madh se sa ata janë realisht, duke moralizuar mëkatet e tyre dhe galvanizuar kështu elektoratin. “Ka rrezik për destabilizimin e procesit zgjedhor. Basha kukull në duart e atyre që rrezikojnë demokracinë dhe drejtësinë”, është një fjali që është thënë nga qeveria dhe me gjasa do përsëritet mjaftueshëm aq herë sa të besohet si e vërtetë. Kjo është efektive jo thjesht sepse shkëput vëmendjen nga problemet reale, por edhe sepse frika demotivon votuesit ndaj alternativës kundërshtare, duke bërë që pozita të ruajë kuotat e veta politike.

Pasoja kryesore e politikës së tiroideve

Ndërkohë që frika dhe inati sjellin leverdi për liderët partiak, në po të njëjtën kohë ato e shtyjnë shoqërinë drejt pozicionimeve ekstreme duke plagosur rëndë kohezionin social. Popullsia çahet në dysh, në mes krijohet një humnerë ndasish dhe çdo kah qëndron buzë gremine në gatishmëri për të rrëzuar palën tjetër.

Studimet sociologjike nga Center for American Progress rrëfejnë se kur udhëheqësit politikë portretizojnë kundërshtarët e tyre si të pamoralshëm ose të korruptuar, ato krijojnë tribu politike ‘ne’ dhe ‘ata’. Në këtë dinamikë tribunale, secila parti e shikon tjetrën si një kërcënim për kombin dhe jetën. Perceptimet ‘Nëse ata fitojnë, unë humbas’ rriten. Fitorja bëhet e domosdoshme dhe për ta arritur atë gjithçka lejohet. Ndaj mbështetësit e mazhorancës fillojnë të tolerojnë sjellje gjithnjë e më shumë autoritare për të qëndruar në pushtet, ndërsa opozitarët janë gjithnjë e më të gatshëm të përdorin mjete jodemokratike për të rrëzuar pushtetin.

E nxitur karshi individëve, nxehtësia e inatit dhe frikës mund të avullojë karakterin kombëtar, duke i lënë shoqërisë vetëm konfuzionin lidhur me zgjedhjet që ajo duhet të bëjë për të ardhmen. Për ne që nuk duam të notojmë symbyllurazi nëpër paqartësi, mbetet pyetja e sikletshme:

Ç’mund të bëjmë?

Ne mund të bëjmë gjithçka, nëse fillimisht kuptojmë. Duhet të kuptojmë që kombet bëhen të suksesshëm vetëm nëse mësojnë si të sfidojnë frikën dhe të përballin inatin. Për ta realizuar këtë, duhet të zgjedhim llojin e duhur të lidershipit. Ka dallim jetik mes udhëheqësve që e frymëzojnë shoqërinë drejt përmirësimit; dhe demagogëve që shfrytëzojnë paranojat e një shoqërie për të ndjekur axhendat e tyre politike.

Ndjenjat kanë shërbyer përgjatë historisë si forcëmotiv ndryshimi në politikë. Lëvizjet e majta nëpër botë u krijuan për shkak të inatit ndaj pabarazisë. Lëvizja e Luther King për shkak të frikës ndaj diskriminimit. Lëvizja e Gandhi për shkak të inatit ndaj varësisë. Suksesin ato e arritën duke ndërtuar një alternativë që furinë nuk ia drejtonte personave politik, që dikush i pëlqen e dikush jo, por padrejtësive, që të gjithë s’i honepsin njëlloj.

Ndaj edhe ne sot duhet të mbajmë një distancë higjienike ndaj demagogëve që tentojnë t’i keqkomandojnë ndjesitë tona për të krijuar një shoqëri të përçarë dhe lehtësisht të sundueshme. Inatin nuk e kemi specifikisht ndaj individëve që janë në qeveri. Inat kemi korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë. Frikën nuk e kemi ndaj të vjetërve të politikës shqiptare. Frikë kemi mos Shqipëria nuk zhvillohet. Në momentin që do të përkufizojmë qartë fenomenet e padëshiruara, atëherë do i kemi dhënë mundësinë vetes t’i luftojmë ato. Fundja, drejt kohërave të reja mbërrijmë vetëm nëse shohim saktë pengesat që kemi përpara.

 

Dosti Banushi ka mbaruar studimet Bachelor në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Granadës në Spanjë për Shkenca Politike. I apasionuar pas mendimit dhe komunikimit politik. Me një eksperiencë të konsiderueshme si aktivisit rinor, gazetar dhe publicist pranë organizatave të shoqërisë civile dhe kompanive mediatike shqiptare.

Mendimet në rubrikën “Këndvështrime” i takojnë autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me pikëpamjet e Euronews Albania.


Etiketimet

Prokuroria ngre akuzë për tre kontrollorë të trafikut ajror, lihen të lirë të tjerët

Pasi qëndruan prej disa orësh në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, prokuroria ka ngritur zyrtarisht akuzë vetëm ndaj tre kontrollorëve të trafikut...

Bllokimi i fluturimeve në Rinas, Rama: Meta dhe Berisha duan të kthejnë kaosin në vend

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorët e zonës në Dropullit në Gjirokastër u shpreh se me bllokimin e punës në aeroportin “Nënë...









Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER