Ekonomi

Ministrja Balluku: 90 mln euro për aeroportin e Vlorës. ENI, kontrata më fitimprurëse që kemi nënshkruar

Përditësimi i fundit: 27/12/2019 - 13:18
Text size Aa Aa

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e ftuar në studion e Euronews Tonight foli për prioritetet e qeverisë në infrastrukturë për vitin 2020.

Ministrja Balluku veçoi dy projekte duke i konsideruar shumë të rëndësishme: Nisjen e punimeve për aeroportin e Vlorës dhe firmosjen e kontratës me gjigantin energjetik italian ENI për kërkim nafte në Dumre.

Kontratën e hidrokarbureve për bllokun e Dumresë me kompaninë e njohur ENI, ministrja e Infrastrukturës e cilësoi si kontratën më të mirë që ka nënshkruar vendi ynë, duke garantuar se fitimi që do marrë shteti në këtë rast do jetë i madh. 

“Kontrata me ENI për bllokun e Dumresë është absolutisht kontrata më e mirë hidrokarbureve që shteti ka nënshkruar.

Aplikon faktorin r në 4 për qind ndërkohë që të gjitha kontratat e tjera e kanë r në 1 për qind. Kjo do të thotë se që në fuçinë e parë, shteti do marrë 4 për qind të fitimit. Ndaj për këtë ndihemi krenarë, kemi marrë përgëzime nga grupi negociatior dhe kryeministri për arritjen”, - tha ministrja.

Balluku foli gjerësisht edhe për projektin e aeroportit të Vlorës, gara për ndërtimin e të cilit u hap zyrtarisht më 19 dhjetor. Ministrja e cilësoi këtë projekt mjaft të rëndësishëm për zonën dhe për vendin, që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik.

Vlera e koncesionit për aeroportin e Vlorës do të jetë afërsisht 90 mln euro dhe kusht sipas ministres është që kompania e cila do të marrë përsipër ndërtimin e tij, të ketë eksperiencë ndërkombëtare në fushën e aviacionit.

“Është një investim prej 89 mln eurosh, pra i konsiderueshëm, por më e rëndësishme është se të gjitha subjektet në garë duhet të plotësojnë kushtin e eksperiencës në këtë fushë, duhet të jenë kompani me eksperiencë ndërkombëtare në fushën e aviacionit.

Ekonomia lokale do gjejë një fushë të madhe veprimi, ndërtuesit, punonjësit do merren nga zona, por edhe nga vendi, ekonomia vendase do marrë zhvillim të madh”, - tha ministrja.

Një tjetër projekt që pritet të nisë në 2020 është edhe ai për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, i cili gjithashtu do të ndërtohet me koncesion për 35 vjet me një vlerë prej 150 mln eurosh. Ndërtimi pritet të nisë, sipas ministres, diku në mes të muajit shkurt të 2020.

Balluku sqaroi me detaje njërën nga nismat e cilësuar si nga më të rëndësishmet nga ana e kryeministrit dhe qeverisë për vitin që po vjen, ajo e dixhitalizimit të shërbimeve, duke i kaluar ato të gjitha online.

Kjo nismë sipas ministres, do t’i japë fund një herë e mirë korrupsionin duke shmangur kontaktin e qytetarit me sportelin, ndërsa sqaroi se do të ndihmohen me anë të trajnimit të gjithë personat që për arsye të ndryshme, e sidomos për shkak të moshës, e kanë të vështirë të aksesojnë online një shërbim.

“Sot kam pasur nderin të lançoj e para nga të gjithë ministrat, kalimin online të më shumë se 90 për qind të shërbimeve, më saktë 91 për qind të tyre. Kjo do të ndikojë në uljen e korrupsionit, duke hequr çdo lloj kontakti të qytetarit me sportelet. Është një proces i vështirë që do të kërkojë impenjimin e të gjithëve. Vetë kryeministri e ka thënë se do të kërkojë imenjimin e çdo ministri në këtë nismë.

Tashmë ky është një proces që ka nisur dhe nuk ka kthim pas. Do të na duhet që fillimisht të ndihmojmë qytetarët që nuk kanë askes ose mundësinë për të përdorur internetin. Në të gjitha sportelet ku sot ofrohen shërbimet, do të jenë djem dhe vajza që do të ndihmojnë.

E kemi provuar me platformën e bashkëqeverisjes, dhe me gjithë mosbesimin e fillimit, tani jo vetëm që e përdorin të gjithë, por edhe e preferojnë më shumë”, - tha ministrja.

Tregime të lidhura