Evropa

Kroacia tregon ambiciet e veta për anëtarësimin e Shqipërisë dhe RMV-së

Përditësimi i fundit: 14/01/2020 - 13:16
Text size Aa Aa

Presidenca kroate e BE-së prezantoi përparësitë e saj në nisje të seancës plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg. Përveç përparësive të rëndësishme për vetë BE-në, si buxheti i ardhshëm i unionit apo Brexit, kryeministri Andrej Plenkoviç u ndal edhe tek Ballkani.

“Nuk e fshehim ambicien tonë për tu përpjekur të arrijmë mbështetjen e vendeve anëtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për besueshmërinë e politikës së zgjerimit është e rëndësishme ruajtja e parimeve të respektimit të kritereve politike, të kritereve bazë të referencës dhe të progresit individual të çdo vendi kandidat”, tha Plenkoviç.

Kryeministri i Kroacisë falenderoi Parlamentin Evropian për rezolutën e tetorit që mbështet dy vendet, gjë që sipas tij përforcon besueshmërinë e procesit. Plenkoviç shpalli edhe pritshmëritë nga Samiti i Zagrebit në Maj, pasi kujtoi se Kroacia është vendi i vetëm nga Ballkani që ka hyrë në BE, 20 vjet pas samitit të parë të Zagrebit.

“Gjatë këtij samiti ne dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh të fortë partnerëve tanë të Evropës Juglindore që ndodhen gjithnjë në një lloj paradhome evropiane, e t’ju themi, nëse ndiqni të gjitha reformat dhe përmbushni të gjitha kriteret e anëtarësimit, perspektiva juaj evropiane nuk është vënë në pikëpyetje, dhe jeni të mirëpritur”, nënvizoi z. Plenkoviç.

Presidentja e Komisionit Evropian i kujtoi sallës se Andrej Plenkoviç ka qenë stazhier dhe eurodeputet në Parlamentin Evropian ku sot vjen si kryeministër, dhe lavdëroi Kroacinë që 28 vjet pas njohjes nga komuniteti ndërkombëtar sot drejton BE-në.

“Nëse duam që samiti i Zagrebit të jetë një sukses na duhet t’i bëjmë sot detyrat tona të shtëpisë. Prandaj ne po punojmë mbi metodologjinë e zgjerimit që do të prezantohet brenda disa javësh, në mënyrë që të diskutojmë modernizimin e nevojshëm”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.

Ajo shtoi se pjesa më e rëndësishme është t’i japin miqve të tyre në Ballkanin perëndimor perspektivën e nisjes së negociatave për zgjerimin me Maqedoninë e Veriut, me Shqipërinë.

Propozimet për metodologjinë e re të zgjerimit nga komisioneri, Oliver Varhelyi priten në fund të muajit janar, ndërsa vendimi i mundshëm pritet gjatë samitit të muajit mars në Bruksel, për t’i çelur rrugë një samiti të suksesshëm BE-Ballkan në Zagreb në maj. 

Tregime të lidhura