Evropa

Partitë nacionaliste europiane: Kalimi nga 27 në 29 vende anëtare nuk e forcon BE-në por e dobëson atë

Përditësimi i fundit: 14/01/2020 - 15:30
Text size Aa Aa

Krerët e grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian përshëndeten, ndër të tjera, përparësinë e Kroacisë në lidhje me vendet e Ballkanit. Pas paraqitjes së përparësive nga presidenca e vendit më të ri anëtar, kreu i Partive Popullore Evropiane sfidoi grupimin e majtë dhe atë liberal të bindin qeveritë skeptike për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm se vendimi i Këshillit Evropian ishte një vendim dritëshkurtër, për të mos i çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë si përfaqësues i PPE-së jam krenar që të gjitha qeveritë e PPE-së në Këshill e mbështesnin”, tha kreu i Partive Popullore Evropiane, Manfred Weber.

Ai shtoi se shpreson që socialistët të flasin me miqtë danezë, dhe që kolegët e Renew të flasin me kolegët holandezë dhe francezë, që t’i hapin rrugë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që një ditë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

“Gjithashtu, ne mbështesim objektivin tuaj për sa i përket zgjerimit dhe negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë” nënvizoi Iratxe Garcia, kreu i S&D.

Kreu i Renew Europe, Dacian Ciolos tha se është besimplotë se në muajt e ardhshëm, BE do t’i dërgojë një mesazh pozitiv vendeve të Ballkanit dhe për këtë Samiti i Zagrebit duhet të japë një sinjal.

Të vetmet grupime që u shprehën kundër zgjerimit gjatë debatit ishin ato të partive nacionaliste europiane, si në shembullin e anëtarit të partisë franceze Rigrupimi Kombëtar, drejtuar nga Marine Le Pen.

“Ju na thoni se doni të shpejtoni procesin e zgjerimit me Maqedoninë e Veriut, atëherë kur të gjithë e shohin qartë se ato vende, megjithëse vende mike dhe aleate me të cilat duhet të punojmë, janë ende sot vende që janë gjerësisht të gangrenizuar nga korrupsioni, gjerësisht të infektuara nga rryma të ndryshme islamiste, saudite apo turke, dhe që sigurisht asnjë kusht nuk është plotësuar sot që ata të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, tha Nicolas Bay.

Ai shtoi se kalimi nga 27 në 29 dhe ndoshta nga 29 në 31 vende anëtare nuk do të forcojë Bashkimin Europian, por do të arrijë ta dobësojë më shumë atë.

Partitë dhe grupimet nacionalistë në Parlamentin Evropian, përveç fjalës, kanë peshë dhe fuqi shumë të kufizuar kundër vendeve aspirantë siç u tregua edhe nga rezultati i rezolutës së Parlamentit Evropian tetorin e kaluar.

Tregime të lidhura