Evropa

Gjermania nuk do të pranojë personat që kërkojnë azil si “refugjatë klimatikë”

Përditësimi i fundit: 13/02/2020 - 16:12
Text size Aa Aa

Gjermania tha të mërkurën se nuk do të pranojë persona të cilët kërkojnë azil për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Qeveria federale nuk planifikon t’i njohë ata që “lëvizin nga kushtet dhe ndryshimet klimatike dhe që e përdorin këtë arsye në kërkim të azilit si dhe do të bëjë ndryshimet përkatëse në ligj”, thuhej në një deklaratë.

“Personat e vendeve të botës së tretë të cilët largohen nga vendlindja e tyre për shkak të pasojave negative të ndryshimeve klimatike nuk do të quhen refugjatë, siç thuhet në Konventën e Refugjatëve të Gjenevës nën ligjet aktuale ndërkombëtare të traktatit”, shtohej më tej.

Sipas një shkrese të bërë publike vitin e kaluar nga Parlamenti Europian, mesatarisht 26.4 milionë njerëzve përreth botës i është dashur të lëvizin çdo vit për shkak të përmbytjeve, stuhive, tërmeteve dhe thatësirave që nga viti 2008.

Gjithashtu aty shkruhej se ky trend ka qenë në rritje përgjatë dekadave të fundit dhe se numri i “refugjatëve klimatikë” do të vazhdojë të rritet.

Por ekspertët nëpër botë nuk bien dakord për termin e përdorur.

Refugjatë klimatikë vs emigrantë klimatikë

Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), një agjenci e Kombeve të Bashkuara, preferon termin “emigrantë mjedisorë”, duke argumentuar se refugjatët largohen nga vendet e tyre nën rreziqet e persekutimit. Gjithashtu ata flasin për vështirësinë e përfshirjes së migrimit në ndryshimet klimatike.

“Migrimi mjedisor mund të marrë disa forma: disa herë e shtyrë nga faktorë të tjerë, disa herë në mënyrë vullnetare dhe shpesh në një zonë gri midis të dyjave”, deklaron një raport i IOM.

Gjithashtu shkruhej: “Në raste të katastrofave klimatike siç janë përmbytjet dhe thatësirat, faktori mjedisor është i qartë dhe lëvizja e tyre është e forcuar, ndryshimet klimatike nuk mund të quhen specifikisht shkaku i katastrofave. Pjesa më e madhe e shkencëtarëve të klimës bien dakord se ndryshimet klimatike do të rrisin frekuencën dhe intensitetin e katastrofave natyrale, por si mund ta dimë nëse një katastrofë nuk do të ndodhte edhe pa ndryshimet klimatike”?

Më tej në shkresë thuhej se hapja e Konventës së Refugjatëve të 1951-shit për të përfshirë në të arsyet e lidhura me klimën mund të dobësojë statusin e refugjatëve dhe të sjellë përjashtimin e kategorive të personave që kanë nevojë për mbrojtje.

Por për Fondacionin e Drejtësisë Mjedisore, ndryshimet klimatike dhe lëvizjet migratore që vijnë si pasojë, do të kenë një ndikim të thellë në gjeopolitikë.

“Ndryshimet klimatike kanë një potencial jo vetëm për të kthyer pas ndryshimet e post-luftës të cilat promovojnë të drejtat bazike të njeriut dhe zhvillimet gjithashtu sa vjen e më shumë shihen si një kërcënim ndaj paqes brenda dhe mes kombeve dhe rajoneve ‘vulnerabël’”, thuhej në raport.

Organizata joqeveritare bëri thirrje për vendosjen e një instrumenti që i jep “ një përkufizim dhe një status refugjatëve klimatikë.

Sipas shkresës së Parlamentit Europian, shumë shtete në zhvillim i kanë kërkuar unionit që t’i pranojnë emigrantët klimatikë dhe statusin e tyre si refugjatë por disa shtete anëtare, individualisht, nuk e kanë përkrahur idenë e krijimit të kësaj kategorie të re.

Tregime të lidhura