Evropa

Presidentja e Komisionit Europian: “Miratoni fondet për 'Green Deal' ose nuk do ta mbështes buxhetin e ardhshëm të BE”

Përditësimi i fundit: 13/02/2020 - 17:34
Text size Aa Aa

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen paralajmëroi të mërkurën se nuk do të mbështeste buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Europian nëse një e katërta e fondeve nuk do të shkojnë për politikën e saj “Green Deal”, ndërsa shtetet anëtare luftojnë mes njëri-tjetrit rreth fondeve që do të marrin dhe do të paguajnë.  

Gjatë një seance plenare të mërkurën në Strasburg të Francës, von der Leyen tha se “nuk do të pranonte asnjë rezultat që nuk siguronte se të paktën 25% e buxhetit do të shkonte për luftën kundër ndryshimeve klimatike”.

Komisioni Europian dëshiron që Unioni të bëhet i pari kontinent në botë, neutral nga përdorimi i karbonit deri në vitin 2050 dhe vitin e kaluar shpalosi një numër masash që duhen ndërmarrë në mënyrë që të arrijë qëllimin e vendosur, të quajtur ndryshe si “Green Deal”. Këto përfshijnë një “Just Transition Fund” (Fond të Sapoformuar Tranzicioni) për të ndihmuar punëtorët dhe bizneset që do të preken më shumë nga tranzicioni i Unionit drejt një ekonomie pro-mjedisore.

Gjatë fjalimit të saj drejt parlamentarëve, Presidentja e Komisionit bëri thirrje për një kompromis, duke argumentuar se “duhet të gjejmë balancën e duhur mes politikave tona të vjetra dhe prioriteteve të reja”.

Ajo gjithashtu paralajmëroi se “nëse buxheti nuk vendoset së shpejti, vitin e ardhshëm ne nuk do të mund t’i financojmë prioritetet e reja me buxhetin e ri, siç mund ta imagjinojmë të gjithë”.

Liderët e Bashkimit Europian do të takohen më 20 shkurt në një samit të jashtëzakonshëm për të arritur një pozicion të përbashkët nën kornizën e financimit shumëvjeçar (MFF) nga viti 2021 deri në 2027.

Por shtetet anëtare qëndrojnë të ndarë për sa i përket prioriteteve të BE-së, në dy grupe që janë formuar si pasojë e largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE dhe humbjen prej 75 miliardë euro që do t’i sjellë kjo buxhetit të ardhshëm.

Më herët këtë muaj, përfaqësues nga Bullgaria, Republika Çeke, Qipro, Estonia, Greqia, Hungaria, Lativia, Lituania, Malta, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe Spanja u takuan në Portugali për të argumentuar pozicionet e tyre.

Së bashku, këto 15 shtete jugore dhe lindore njihen si “Miqtë e Kohezionit” pas fondit të kohezionit nga BE, i cili u jepet shteteve më pak të zhvilluara që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës.

Nën propozimin e Komisionit, ata do të humbasin disa nga fondet e tyre në buxhetin e 2021-2027, që ata e quajtën si “të papranueshme” nëpërmjet një deklarate të përbashkët pas takimit.

Ata thanë se “pabarazitë ekzistuese në nivel zhvillimi mes rajoneve dhe shteteve anëtare janë akoma të dukshme” dhe se fondet për politikën e "Kohezionit" duhet të vazhdojnë në të njëjtin nivel të buxhetit të viteve 2014-2020.

“Asnjë shtet anëtar nuk duhet të vuajë nga ulja disproporcionale dhe e dukshme e fondeve të Kohezionit”, shtonin ata.

Megjithatë ata janë kundërshtuar nga grupi i “pesëçesh” i përbërë nga Austria, Danimarka, Gjermania, Holanda dhe Suedia.

Këto shtete anëtare duan t’i kufizojnë shpenzimet e Bashkimit Europian në 1% të të ardhurave ndërkombëtare bruto dhe argumentojnë se financimi i “Kohezionit” është i nevojshëm për tu fokusuar në prioritetet e reja, duke përfshirë këtu edhe ndryshimet klimatike.

Buxheti i ardhëm i Bashkimit Europian pritet ta kalojë shifrën e 1 trilionë eurosh, por duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti.