Evropa

Kryetari i Bashkisë së Budapestit shpërfill Orbanin mbi fondet e BE-së për klimën

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 18:14
Text size Aa Aa

Kryetari i Bashkisë së Budapestit përplaset me kryeministrin Viktor Orban mbi fondet e BE-së për ndryshimet klimatike.

Liberali Gergely Karácsony ka sugjeruar se Brukseli i jep qyteteve qasje të drejtpërdrejtë fondesh me qëllim për ta bërë BE-në neutrale ndaj karbonit deri në 2050-n.

Brukseli kërkon të mbledhë investime pre 1 trilion euro në dhjetë vitet e ardhshme si pjesë e Paktit të Gjelbër Europian për të luftuar ndryshimet klimatike.

Por Karácsony, duke folur për Euronews, u shfaq skeptik nëse qeveria hungareze do ta ndihmonte për të marrë këtë lloj fondi.

“Nuk po i kërkojmë BE-së të mbajë qëndrim mbi debatet tona politike kombëtare,” tha ai. “Por duhet të merremi me situatën që qeveri të ndryshme bllokojnë vendim marrjen e BE-së, ata po përcjellin debate shkatërruese në vend të atyre të dobishmeve”.

Karácsony udhëtoi drejt Brukselit me disa kryetarë të tjerë bashkish nga vende të ashtuquajtura si “iliberale” për të lobuar kundër qeverive të tyre kombëtare.

Në dhjetor, Karácsony dhe kryetarët e bashkive të Bratislavës, Pragës dhe Varshavës u bënë bashkë për të formuar “paktin e qyteteve të lira”.

Ata u zotuan se do t’i mbajnë të hapura  dhe tolerante qytetet e tyre, në një lëvizje që është parë si një shpërfillje e drejtpërdrejtë e krerëve të qeverive në vendet e tyre.

Të katërta vendet, të njohura bashkë si “Katërshja e Vishegradit” kanë pasur përplasje në muajt e fundit. BE-ja ka dënuar cenimin e shtetit të së drejtës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjitha këto vende si për shembull reformën e gjyqësorit në Poloni, trajtimi i minoriteteve dhe azil kërkuesve në Hungari dhe Sllovaki, apo konfliktet e interesit në instancat më të larta të qeverisë në Republikën Çeke.

I pyetur nga Euronews se çfarë provash kishte që qeveria hungareze do ta ndalonte Budapestin të merrte këto fonde, Karácsony tha: “Kemi frikë se ka të bëjë me këtë. Ka raportime në media dhe dokumente qeveritare të cilat sugjerojnë se qeveria kërkon të centralizojë shpërndarjen e fondeve”.

Tregime të lidhura