Evropa

COVID-19: mbi 7500 viktima në Itali, 683 gjatë ditës fundit

Përditësimi i fundit: 25/03/2020 - 19:17
Text size Aa Aa

Shifra e viktimave në Itali është tronditëse: 7503 në total dhe 683 në vetëm 24 orët e fundit, rreth 60 persona më pak se dje, por megjithatë një shifër shumë e lartë.

Shifrat i ka bërë me dije Departamenti i Mbrojtjes Civile gjatë përditësimit të tyre, e mbajtur sot nga zëvendësdrejtori pasi shefi i departamentit Angelo Borrelli ka nisur të shfaqë simptoma.

Zëvendësdrejtori Agostino Miozzo u shpreh se “Ky është një moment delikat, nuk duhet të ulim vigjilencën përndryshe kurba mund të ngrihet sërish” ndërkohë që objektivi është që ajo të stabilizohet dhe më pas të zbresë.

“Jemi në rrugën e duhur: lajmi i mirë është se për të katërtën ditë radhazi numri i të infektuarve është në rënie: sot janë 3,491, rreth 120 më pak se dje. Në rrugën e mire por ende jo të sigurt: Lehtësisht me një vatër të re, kurba e infektimit, mund të pësojë rritje.  Kjo është edhe arsyeja pse qeveria prezantoi dje dënime më të ashpra për ata që shkelin shtetrrethimin.

Sanksionet e reja

Nga 400 në 3 mijë euro, sanksionet e reja që do iu shtohen atyre të mëparshme, në rast shkeljeje të rregullave të shtetrrethimit.

Kryeministri Conte bëri gjithashtu me dije se do të raportojë rregullisht në parlament gjatë kësaj periudhe emergjence, çdo 15 ditë. “Kemi parashikuar që çdo iniciativë do i transmetohet presidentëve të Dhomave dhe se do iu raportoj atyre çdo 15 ditë”.

Por sa do të zgjasë periudha emergjencës? Conte ka specifikuar se nuk do të zgjasë deri në 31 korrik ashtu siç kanë raportuar disa media të shkruara, por se ajo është data e referimit e njërit prej dekreteve të parë për gjendjen e jashtëzakonshme që zgjat 6 muaj. Pra, kjo nuk do të thotë se izolimi do të zgjasë deri në atë date, pasi është “vetëm një hapësirë teorike, por kam besim se do të mbarojë më parë,” tha Conte.

Drama e Bergamos

Ndër zonat më të prekura nga coronavirus në botë, pas qytetit të Vuhanit, është Bergamo. Me shifra që kapnin 100 viktima në ditë dhe me disa kryetarë bashkie të provincës që denonconin fshehjen e numrave realë; shumë të moshuar, thonë ata kanë vdekur në shtëpi nga pneumonia, pa tamponë, të cilët nuk janë pjesë e përllogaritjeve zyrtare të viktimave nga COVID-19.

Koha do të tregojë se çfarë nuk ka funksionuar siç duhet.

Shpresa, e kapur pas frenimit të numrit të infektuarve, nuk duhet ta ulë vigjilencën. Presidenti i rajonit të Kampanias, Vincenzo De Luca, ka dhënë sot alarmin: “Mos harroni se kriza do të shpërthejë së shpejti në jug në mënyrë dramatike. Dhjetë ditët e ardhshme do të jenë një ferr i vërtetë. Jemi në caqet e durimit”.

Tregime të lidhura