Evropa

BE, stok të përbashkët pajisjesh mjekësore, Von der Leyen: Disa vende anëtare vepruan vetëm për vete

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 11:35
Text size Aa Aa

Komisioni Europian mbajti sot një seancë plenare, në të cilën Presidentja Ursula von der Leyen theksoi edhe një herë se BE-ja do t’i bëjë ballë krizës vetëm duke bashkëpunuar, si dhe qortoi ata që reaguan në mënyrë refleksive duke u kujdesur vetëm për veten e duke vënë pengesa nëpër kufij.

Së pari, presidentja falënderoi ata që mundësuan mbledhjen në këtë situatë, dhe u shprehu ngushëllimet viktimave.

“Dua të falënderoj ata që mundësuan këtë mbledhje të jashtëzakonshme në kushte të jashtëzakonshme. Është e vështirë ta kuptojmë realisht se sa shumë ka ndryshuar bota që nga takimi i fundit. Në pamje të përgjithshme, një virus që vjen nga ana tjetër e botës ka krijuar një epidemi tragjike edhe në Europë. Kemi ndryshuar brenda ditës. Janë boshatisur rrugët e janë mbyllur dyert. Kemi ndryshuar jetën e përditshme dhe kemi parë një tragjedi në zemër të Europës, me një dhimbje të paimagjinueshme, që zgjat prej disa javësh. Ngushëllimet nga zemra për viktimat, dhe jemi pranë atyre që janë duke luftuar tani”, thotë Ursula Von der Leyen.

Presidentja falënderon popujt europianë për forcën që kanë treguar me përballimin e situatës.

“Por nëse virusi godet fort, edhe qytetarët Europianë janë të fortë. Dua të falënderoj burrat e gratë që po luftojnë, mjekët e infermierët, në Itali, Spanjë e gjithë Europën, të cilët kanë vrapuar drejt rrezikut pa pyetur fare. Këta heronj po luftojnë çdo ditë për të shpëtuar prindërit tanë, gjyshërit tanë, fqinjët, kolegët, e të panjohurit. Ne u detyrohemi me gjithë mirënjohjen jo vetëm atyre, por edhe punëtorëve që vazhdojnë në sektorë të tjerë të ekonomisë e që bëjnë që jeta të vazhdojë, si kamionistët, pastruesit e shumë të tjerë. Europa u detyrohet mirënjohje”, thotë presidentja e Komisionit Europian.

Von der Leyen bën thirrje se çdo njeri pa përjashtim mund të ndihmojë me këtë situatë, pasi secili e ka një rol për të lujatur.

“Por ajo që është unike për këtë betejë, është se secili prej nesh ka një rol për të luajtur. Secili mund të ndihmojë për ta shlyer borxhin ndaj tyre. Duke ruajtur distancën shoqërore mund të zbutim ritmin e përhapjes, por vetëm nëse bëjmë pjesën tonë. Është e dhimbshme t’i rrimë larg familjes, sidomos kur jemi të shqetësuar për shëndetin e tyre mendor e fizik. Është e dhimbshme dhe për ata që nuk kanë shtëpi të lumtura e të sigurta. Është e dhimbshme për ata që kanë pezulluar planet që kishin bërë prej kohësh, apo që tani kanë dyshime për projektet mbi të cilat kanë punuar fort. Prandaj jam e bindur që duhet të bashkëpunojmë më shumë se kurrë më parë. Duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin. Një gjë më ngjitëse se virusi është dashuria dhe mirëkuptimi. Popujt e Europës, në kohë vështirësie, kanë treguar se dinë të jenë solidarë, duke ndihmuar të përhapet shpresë nëpër Europë. Që nga këngët nëpër ballkone, ndihmat me ushqime për të moshuarit nga të rinj vullnetarë, hotelet që ofrojnë dhomat falas, prodhuesit e vodkës që bëjnë xhel sanitar, fabrikat e makinave që prodhojnë pajisje, etj.  Ky është shembulli që duhet të ndjekë BE-ja. Duke bërë nga pak, mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin shumë”.

Pasi falënderoi popullin për kontributin, presidentja e KE-së vuri në dukje se udhëheqësit e BE-së nuk kanë treguar të gjithë të njëjtën gatishmëri.

“Detyra jonë si udhëheqës është të tregojmë të njëjtin bashkim e përgjegjësi. Përgjegjësia duhet të jetë e përbashkët. Askush nuk e përballon dot i vetëm këtë krizë. Asnjë shtet anëtar nuk ia del dot i vetëm. Vetëm duke ndihmuar njëri-tjetrin mund të ndihmojmë veten. Por ajo që ndodhi në javët e fundit ishte shumë e dhimbshme. Kur Europa duhej të ishte e bashkuar, shumë anëtarë nisën të kudjesen vetëm për veten fillimisht. Kur Europa duhej të ishte e bashkuar, shumë dhanë përgjigje vetëm kur duhej të kujdeseshin për veten e tyre. Shumë vende refuzuan ta ndajnë çadrën me të tjerë. Dhe disa i ndien pasojat e këtyre veprimeve të pa-koordinuara. Ajo që bëjmë sot ka rëndësi jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen. Coronavirusi është një urgjencë e shëndetit publik. S’do të ndalojmë për asgjë, që të shpëtojmë jetë. Që ta bëjmë këtë, kemi fatin që të kemi profesionistët më të mirë të mjekësisë në botë. Nga Milanoja e në Madrid, po bëjnë mrekulli. Por, siç kemi parë, përhapja e virusit i ka çuar në pikë kritike. Kanë nevojë urgjente për pajisjet e duhura, i duan në masë, dhe i duan tani. Por në vend të kësaj, pamë që pajisjet u bllokuan me ditë të tëra nëpër kufij. Prandaj na u desh ta marrim situatën në dorë për të hequr bllokadat”, tha Ursula von der Leyen.

Presidentja e KE-së shpjegoi se për të shmangur situata të tilla, BE ka vendosur që për herë të parë të krijojë stokun e përbashkët të pajisjeve mjekësore, si dhe të krijojë “korsi të gjelbra” nëpër kufijtë e Shengenit, ku kamionët me pajisje mjekësore të mos vonohen më shumë se 15 minuta.

“Prandaj do të krijojmë stokun e parë europian me pajisje, ventilatorë e mjete të tjera. Komisioni do të financiojë 90%. Prandaj do të punojmë me shtetet anëtare për të blerë pajisjet. 25 shtete u bashkuan dhe ky është lajm i mirë. E dimë që kërkesa për maska e dorashka nuk përballohet nga prodhuesit në asnjë vend. Dërgesat e para duhet të vijnë në javët e ardhshme. Ngaqë dituria shpëton jetë, jemi mbledhur me ekspertët për të diskutuar çdo gjë për atë që ndodh. Kjo vetëm sa ma ka shtuar bindjen se bashkëpunimi është ajo që na bën të fortë që të rimëkëmbemi. Dhe s’ka gjë më të fortë se kjo se tregu i përbashkët. Përgjigjja e suksesshme mund të koordinohet vetëm nëse tregu unik dhe zona shenjen punon siç duhet. Kjo krizë pa kufij nuk zgjidhet duke vendosur kufij. Por ky ka qenë refleksi i parë që patën shumë vende. Kjo nuk ka kuptim. Sepse s’ka asnjë anëtar që mund t’ia dalë i vetëm kur vjen puna për pajisje mjekësore. As edhe një. Lëvizja e lirë e mallrave është aseti i vetëm i fortë që kemi që pajisjet të shkojnë atje ku nevojiten. S’ka kuptim që disa vende kanë vendosur të mos eksportojnë në vendet anëtare. Prandaj po ndërhyjmë që të krijojmë “korsi të gjelbra”. Do të sigurohemi që kalimi në kufi të mos zgjasë më shumë se 15 minuta. Do të sigurohemi që mallrat të shkojnë ku është nevoja e të mos kemi mangësi.

“Është e dhimbshme që duhet ta bëjmë kështu, por bashkëpunimi po jep frute. Ishte shumë lehtësuese të shihnim se si disa spitale gjermane po prisnin pacientë nga Lombardia, të tjera nga Franca. Kjo tregon se vetëm duke ndihmuar njëri-tjetrin, mund të ndihmojmë edhe veten. Anëtarë të nderuar, masat që kemi marrë pasqyrojnë situatën e paprecedentë në të cilën ndodhemi. Por, siç thamë më parë, populli i Europës po pret të shohë se ç’do të ndodhë. Duhet të bëjmë çdo gjë për të shpëtuar sa më shumë jetë. Por banorët e BE-së po mendojnë edhe për ditët pas krizës. Në cilat punë do të shkojnë pas kësaj? Ç’do të ndodhë me bizneset e tyre? Me kursimet? Me kreditë? Shqetësohen për prindërit, fqinjët, të njohurit. E dinë që qeveria duhet të marrë vendime të vështira për të shpëtuar jetë, por ata do ta mbajnë mend se kush u qëndroi pranë e kush jo. Se kush veproi e kush jo. Do t’i  mbajnë mend vendimet që marrim sot.

“Thelbi është që shumë shpejt do të vijë 'dita pas krizës'. Detyra jonë është që në atë ditë, dhe në ditët e tjera të vazhdim, të sigurohemi që BE do të jetë pranë atyre në nevojë. Ajo që po bëjmë tani ka shumë rëndësi. Prandaj ndërmorëm nismën ekonomike kundër situatës të krijuar nga coronavirusi. Për të shpëtuar punë dhe biznese. Prandaj vendosëm rregullat më fleksible të përkohshme që janë bërë ndonjëherë në lidhje me kreditë, që t’u japim jetë bizneseve e BE-s . Rastet e para të bizneseve që kërkuan ndihmë financiare u miratuan brenda pak orësh, në kohë rekord. Prandaj kemi aktivizuar ligjet që lejojnë vendet anëtare të përdorin të gjitha burimet që kanë për të mbështetur bizneset, të punësuarit, dhe popullin në këto kohë të vështira”, përfundoi von der Leyen.

Tregime të lidhura