Evropa

Dhoma Italiane e Tregtisë parashikon humbje në 52 mld euro

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 20:40
Text size Aa Aa

Me shpërthimin e coronavirusit në Itali u mbyllën biznese të sektorit të prodhimtarisë dhe atyre të shërbimeve, si tregtia, turizmi, dhe transporti. Nisur nga pritshmëria që kjo situatë do të vazhdojë edhe për disa kohë, rënia e konsumit mund të arrijë në shifrën e 52 miliardë eurove në shtetin fqinj.

Këtë skenar e parashikon Dhoma italiane e Tregtisë, duke marrë në konsideratë "hipotezën realiste të rikthimit të vendit në normalitet vetëm në fillim të tetorit".

Sektori i vetëm në rritje në këtë situatë pandemie është sektori ushqimor, me një rritje prej 4.2% në muajt e parë të 2020, në krahasim me një vit më parë.

Humbje të mëdha priten kryesisht për sektorin e transportit me -12.7%, dhe të hotelerisë dhe restoranteve, me -21.6%.

Ndërkohë që ditën e sotme, qeveria italiane ka bërë me dije se duke nisur nga muaji prill, çmimi i energjisë elektrike do të ulet me 18,3 përqind, dhe ai i gazit me 13.5 përqind.

Në fillim të muajit mars, Italia vendosi të izolojë 60 milionë banorë për shkak të COVID-19.

Masat shtrënguese u ashpërsuan më tej, pasi numrat e të infektuarve dhe viktimave nga sëmundja infektive, sa vinin e shtoheshin. Kryeministri Conte u detyrua të shpallte zonë të kuqe shumicën e territorit italian, duke mbyllur kështu edhe shumicën e bizneseve në vend, dhe duke lënë të hapura vetëm dyert e marketeve dhe farmacive.

Tregime të lidhura