Evropa

Kapri i shkretuar, ishulli magjepsës përballet me braktisjen nga turistët

Përditësimi i fundit: 25/04/2020 - 09:50
Text size Aa Aa

COVID-19 ka shkaktuar mijëra viktima në shtetin e Italisë. Shumë sektorë të ekonomisë janë dëmtuar nga mbyllja e kufijve dhe izolimi i vendit, veçanërisht turizmi. Një nga vendndodhjet më të frekuentuara, ishulli i Kaprit këtë fund prilli ka mbetur tërësisht i braktisur.

Valët e detit Mesdhe vazhdojnë të përplasen në brigjet e braktisura të ishullit Kapri, i cili këtë vit nuk ka pritur asnjë turist.

Muaji prill gjithmonë shënonte fillimin e sezonit turistik dhe vitet e kaluara në këtë kohë ishulli gjallërohej duke u mbushur me zërin e mijëra vizitorëve italianë dhe të huaj.

Por tani kur coronavirusi i ri ende mban të mbërthyer Italinë, vetëm tingujt e flladit të erës dhe zogjtë dëgjohen në rrugicat e ngushta të Caprit.

Më të shqetësuarit nga kjo gjendje janë pronarët e bizneseve dhe operatorët turistikë.

"Destinacionet turistike po kalojnë një moment të vështirë, shumë rezervime janë anuluar, sezoni po afron dhe ne akoma s’e kemi organizuar hapjen. Vitet e mëparshme, në këto ditë ne kishim avancuar shumë me përgatitjet”, thotë Gianluigi Lembo, pronar restoranti në Kapri. 

Me afrimin e stinës së verës, ishulli ka shpërthyer në mijëra ngjyra të reja, moti është më i butë dhe panorama më e gjallë. Por të vetmit që mund ta shijojnë këtë mrekulli të natyrës janë banorët e vendit. E vetmja shpresë e tyre është që gjendja të kalojë sa më shpejt, pasi turizmi është burimi i tyre kryesor i mbijetesës.

Tregime të lidhura