Evropa

VIDEO: Itali, gjyshërit e përlotur takohen me mbesën pasi virusi i ndau për dy muaj

Përditësimi i fundit: 04/05/2020 - 15:58
Text size Aa Aa

Teksa Italia nis më në fund lehtësimin e masave kufizuese, pas përmirësimit të situatës me COVID-19 në spitale, shumë njerëz kanë mundur të kthehen në punë dhe gjyshërit më në fund janë takuar me nipërit.

Domeniko di Masa, një gjysh 72-vjeçar, nuk e përmbante dot gëzimin teksa e merrte në krahë dhe ngrinte në ajër mbesën e tij 5-vjeçare.

Ata ishin mësuar ta takonin mbesën të paktën një herë në javë, ndërsa këtë herë kishin dy muaj pa e parë.

“Kishim dy muaj që nuk e takonim, vetëm flisnim me video në celular. Por nuk është njësoj. Nuk mund të jetë njësoj”, thotë gjyshi i përlotur.

“Kur e pashë, më rrahu zemra fort. Dukej si një shekull pa e parë. Tani jam e kënaqur. Mund ta marr buzë detit e mund të rrijë pak  me mua, meqë do t’i ketë të dy prindërit në punë. Të paktën mund të kënaqemi duke ndenjur pak me vajzën”, tha gjyshja.

Shumë italianë e kanë zakon t’i lënë fëmijët me gjyshërit gjatë muajve të verës, derisa prindërit marrin pushimet e gushtit. Këtë vit, familjet do të kenë më shumë nevojë për gjyshërit që t’u mbajnë fëmijët, pasi shkollat nuk do të hapen deri në shtator.

“Ne jetojmë në një vilë të vogël buzë detit. Vajza ka sa hapësirë të dojë aty. Do të jetë në ajër të pastër. S’do të infektohet, sepse s’do ta lë të shkojë me njerëz të tjerë. Do të rrijë vetëm me ne. Nëse s’jemi ne të infektuar, s’besoj të ketë problem”, shtoi ajo.

 Italia vazhdon të ketë një numër tragjik të vdekurish, por përmirësimet kanë qenë shumë të dukshme, aq sa këtë të hënë janë kthyer në punë rreth 4.5 milionë italianë. Po ashtu, është lejuar të vazhdojë puna në ndërtim si familjarët kanë mundur të takohen me njëri-tjetrin.

Megjithatë, shumë masa të tjera vazhdojnë të jenë në fuqi për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të virusit që deri tani ka vrarë rreth 29 mijë italianë, shifra e dytë më e lartë në botë, pas SHBA-ve.

Tregime të lidhura