Evropa

Holanda rifillon mësimin, disa shkolla testojnë ndarjen e bankave me xhama

Përditësimi i fundit: 09/05/2020 - 16:38
Text size Aa Aa

Edhe pse shkollat janë mbyllur në Holandë që nga data 14 mars, mësuesit kanë vazhduar të shkojnë për disa nxënës që i kanë prindërit në vende pune të domosdoshme, si për shembull mjekët.  Shumica e nxënësve të tjerë i kanë marrë mësimet nëpërmjet internetit.

Me uljen e numrit të të prekurve nga COVID-19, Holanda ka vendosur që më 11 maj të hapë shkollat fillore.

Stafi në shkollën Springplank, në qytetin Den Bosch, nuk është i shqetësuar për rikthimin e nxënësve, pasi kanë marrë masa që të mbrohen.

Mësuesit kanë blerë fleta plastike, të tejdukshme si xham, me të cilat janë rrethuar bankat e secilit prej nxënësve.

“Në këtë mënyrë mund të mbrohemi nëse një nga fëmijët nis e kollitet”, thotë koordinatorja teknike e shkollës, Rascha van der Sluijs.

Çdo rajon i Holandës vendos më vete për mënyrat se si do të bëhet rihapja. Shumë kanë vendosur që t’i pranojnë nxënësit me turne, ndërsa në disa shkolla mësuesit do ta kenë mbajtjen e maskës të detyruar me ligj.

Holanda ka numëruar 42.093 të infektuar deri tani dhe 4359 të vdekur. Shkollat e mesme do të vazhdojnë të qëndrojnë mbyllur deri në qershor.

Tregime të lidhura