Evropa

Conte thirrje italianëve: S’është koha për të festuar

Përditësimi i fundit: 21/05/2020 - 14:26
Text size Aa Aa

Me kufizimet që po hiqen gradualisht, Italia duket se e ka lënë pas pjesën më të keqe të shkaktuar nga emergjenca e COVID-19. Por megjithatë, kryeministri Giuseppe Conte ka paralajmëruar se nuk është ende koha për të festuar.

“I bëj thirrje kujtdo dhe sidomos të rinjve, të cilët i kuptoj për entuziazmin që ndjejnë ngaqë kanë rifituar lirinë. Në këtë fazë, më shumë se kurrë, edhe kur jemi jashtë duhet të respektojmë distancën e sigurisë dhe aty ku duhet të veshim maskën mbrojtëse. Nuk është koha për të festuar, apo për jetë nate dhe grumbullime. Bëni kujdes, sepse ekspozimi juaj ndaj infektimit ekspozon edhe të dashurit tuaj”, ka deklaruar Conte.

Kreu i qeverisë u bëri gjithashtu thirrje bankave vendase, që të bëjnë më shumë, sidomos në përshpejtimin e procedurave për garantimin e huave të mbështetura nga shteti.

“Është një provë e vështirë nga e cila mund të ngrihemi shpejt nëse të gjithë bëjnë detyrën e tyre, nëse koordinojmë përpjekjet për të gjetur sinergjinë e duhur për të gjithë sistemin e vendit. Sistemi bankar, që po ofron bashkëpunimin e tij, mund dhe duhet të bëjë më shumë në përshpejtimin e procedurave të huave”, apeloi Conte.

Aktualisht shteti italian numëron 227 mijë e 364 të infektuar nga koronavirusi dhe 32 mijë e 330 të vdekur.

Tregime të lidhura