Evropa
Vetizolim 14-ditor për pasagjerët e fluturimeve ndërkombëtare drejt Mbretërisë së Bashkuar

Pasagjerët që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar pas datës 8 qershor do të duhet të vetizolohen për 14 ditë, njoftoi sekretarja e brendshme e vendit.
Qytetarët që thyejnë rregullat e karantinës do të gjobiten me 1 mijë paund, ose mund t’iu bllokohet hyrja.
Shkeljet e përsëritura të udhëzimeve mund të çojnë deri në procedim penal.
Autoritetet kufitare do të kryejnë kontrolle në kufirin e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa kontrollet do të vijojnë edhe pas mesit të qershorit për t’u siguruar që qytetarët po ndjekin udhëzimet e karantinës dy javore.
“Po i marrin këto masa në këtë kohë në mënyrë që të jenë sa më efikase”, tha sekretarja e brendshme Priti Patel teksa shpalli kufizimet e reja gjatë së premtes.
Ajo shtoi se përderisa shkalla e transmetimit të rasteve lokale është ulur në mënyrë domethënëse, tashmë është koha që Mbretëria e Bashkuar të fokusohet në kufizimin e rasteve të “importuara”, për shmangur një valë të dytë.
Mbretëria e Bashkuar është ndër shtetet më të prekura në botë nga COVID-19 me mbi 36 mijë viktima, 351 prej të cilëve vetëm në 24 orët e fundit.