Evropa

Masat kundër COVID, Britania karantinë për udhëtarët; Portugalia mirëpret turistët

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 10:12
Text size Aa Aa

Nga 8 qershori kushdo që udhëton në Mbretërinë e Bashkuar nga jashtë do t’i duhet të hyjë në karantinë për 14 ditë.

Ndërsa lëvizja e qeverisë ka shkaktuar kritika nga linjat ajrore dhe aeroportet, sekretarja për Çështjet e Brendshme thotë se kufijtë nuk janë mbyllur, por bëhet fjalë për parandalimin e një vale të dytë COVID-19.

“Tani që kemi kaluar pikun e virusit duhet të marrim masa kundër rasteve të importuara, që mund të shkaktojnë një rilindje të kësaj sëmundjeje. Teksa niveli i transmetimit në Mbretërinë e Bashkuar bie dhe numri i udhëtarëve në mbërritje rritet, rastet e importuara mund të përbëjnë një kërcënim të madh”, ka deklaruar Priti Patel.

Ndërkohë, në Portugali ministri i Jashtëm thotë se turistët janë të mirëpritur.

Aeroportet në Lisbonë dhe Porto gradualisht po popullohen, edhe pse deri tani ka më shumë punonjës dhe agjentë sigurie sesa pasagjerë, të veshur me maska dhe që zbatojnë rregullat.

“Është shumë ndryshe. Gjithçka është bosh. Ishte sikur ta kisha gjithë avionin për vete. U ndjeva i sigurt dhe mendoj se kjo ka rëndësi”, është shprehur një pasagjer.

Me motin e mirë dhe dy ditët e fundjavës përpara, në Francë shumë njerëz mbushën plazhet që të premten.

Por patrullat e policisë u kujtuan të gjithëve se ulja ose shtrirja në rërë është e ndaluar gjatë fazës së parë të lehtësimit. Vetëm ecje dhe vrap janë të lejuara.

Edhe disa kufizime në Madrid dhe Barcelonë do të hiqen nga e hëna, duke i futur të dy qytetet në Fazën 1 të lehtësimit. Pjesa tjetër e vendit u rihap që më 11 maj, por këto dy rajone ishin më të prekurat.

Restorantet do të lejohen të hapin vetëm pjesët e jashtme. Edhe mbajtja e maskës është gjithashtu me detyrim.

“Është shumë pozitive për mua sepse kam të bëj me shumë njerëz, ndonjëherë edhe me grupe njerëzish. Mendoj se maska mund të reduktojë infektimin. Është pak bezdisëse, por është diçka që duhet bërë”, ka deklaruar Fernando Fernandez, shpërndarës ushqimi.

Në Spanjë mbulimi i fytyrës duhet bërë edhe brenda ndërtesave dhe hapësirave publike, edhe pse shumë nuk po i zbatojnë rregullat.

Tregime të lidhura