Evropa

Vatër me COVID-19 në Itali, policia përplaset me emigrantët

Përditësimi i fundit: 26/06/2020 - 12:19
Text size Aa Aa

Një situatë e tensionuar konstatohet në qytezën Mondragone të Italisë, ku verifikimi i një vatre të re me COVID-19 detyroi autoritetet të izolonin një zonë të banuar.

Procesi i izolimit nisi më herët gjatë javës, por punonjësit u përballën me protestën e banorëve të një kompleksi pallatesh, kryesisht emigrantë bullgarë, që kundërshtuan bllokadën.

Emigrantët janë kryesisht punonjës sezonalë që merren me mbledhjen e frutave. Ata protestuan, duke përdorur edhe akte dhune për faktin se autoritetet i kishin futur në një zonë të kuqe pa u dhënë shpjegime dhe duke u ndaluar të dalin nga shtëpitë.

Protesta e tyre dyshohet të ketë lidhje me frikën se izolimi mund t’i bëjë që të humbasin punën. Për të qetësuar situatën, në qytezë mbërritën mëngjesin e së premtes trupa ushtarake, të kërkuara nga guvernatori i rajonit të Kampanias.

Bashkë me forcat e policisë, ato futën brenda në pallate banorët, ndërsa nisën shoqërimin në spital të personave të infektuar, që konsiderohen rreth 50.

Por disa prej të infektuarve mungojnë në apel dhe duke qenë se nuk janë të regjistruar gjetja e vendndodhjes së tyre rezulton e vështirë.