Evropa

Vendimi, kufijtë e BE-së mbeten të mbyllur për shqiptarët

Përditësimi i fundit: 27/06/2020 - 10:21
Text size Aa Aa

Shqiptarët nuk mund të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ashtu sikurse pjesa më e madhe e shtetasve të Ballkanit Perëndimor. Përjashtim bëjnë vetëm ata nga Serbia dhe Mali i Zi.

Pas më shumë se, gjashtë orë diskutime, Këshilli i BE mori vendimin që u shoqërua me një listë, ku janë renditur 15 shtete. Për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën kufizimet do të mbeten, edhe pas datës 1 korrik, edhe pse Komisioni Evropian kishte propozuar pak kohë më parë që për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të hapen kufijtë pasi situata epidemiologjike e coronavirusit ishte e ngjashme.

Në këtë listë bëjnë pjesë: Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Mali i Zi, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Serbia, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia, Uruguai dhe Kina.

Bie në sy se në listë mbetet Kina, ndërsa nuk janë hequr kufizimet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mund të sjellë reagimin e administratës amerikane. Sipas zyrtarëve të BE, lista është bazuar në rrezikun real të situatës epidemiologjike të përhapjescoronavirus dhe nuk janë aspak politike.

Kriteri kryesor për heqjen e kufizimeve për hyrje në BE, ka qenë fakti që të ketë më pak se 16 raste me COVID-19 për 100.000 banorë në dy javët e fundit. 

Lista e vendeve me të cilët BE do të ketë të hapur kufijtë do të plotësohet çdo dy javë. Ndaj nëse në vendin tonë do të përmirësohet situata, atëherë unioni mund të hapë kufirin vetëm pas dy javësh.

Përjashtime do të ketë dhe këtu përfshihen: udhëtimet në BE për punë sezonale në bujqësi, udhëtimet për studime, për diplomatët, punëtorët shëndetësorë dhe disa kategori tjera. Po ashtu kufizimet nuk do të vlejnë për personat të cilët do të kalojnë tranzit.