Evropa

11 vendet fqinje të BE-së ku rastet e COVID-19 janë në rritje

Përditësimi i fundit: 29/06/2020 - 10:15
Text size Aa Aa

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), janë të paktën 11 vende në Europë ku rastet e COVID-19 janë në rritje, dhe mes tyre është përfshirë edhe Shqipëria.

“Në këto 11 vende, përhapja ka nisur me nivel të lartë dhe nëse nuk mbahet nën kontroll, rrezikon që t’ë bllokojë sërish sistemet shëndetësore nëpër Europë”, thotë hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Europën.

Por cilat janë këto 11 vende dhe si është situata në secilin prej tyre?

Suedia, (10 milionë banorë) e cila është përmendur shpesh pasi nuk vendosi masa të rrepta, ka pasur më shumë se 100 raste të reja në ditë gjatë muajit qershor. Sipas autoriteteve suedeze, shifra është rritur për shkak të shtimit të numrit të testeve.

Armenia, me 2.9 milionë banorë, ka pasur rritje në maj, dhe në qershor u konfirmua si pozitiv edhe familja e presidentit. Armenia ka rreth 25 mijë të infektuar dhe mbi 400 të vdekur.

Moldavia (3.5 milionë banorë) ka nisur të raportojë me qindra raste të reja në ditë, që nga fillimi i qershorit. Vendi me 3.5 milionë banorë ka mbi  16 mijë të infektuar dhe 530 të vdekur.

Maqedonia e Veriut (2 milionë) ka raportuar deri në 194 raste të reja në ditë. Aktualisht totali flet për mbi 6 mijë të infektuar, prej të cilëve 286 kanë vdekur. Krahasuar me një muaj më parë, ku të infektuarit ishin diçka më pak se 2 mijë, dhe vdekjet 130, bilanci është pothuajse trefishuar. 

Azerbajxhani, me 10 milionë banorë, shënoi më pak se 100 raste në ditë gjatë muajit maj. Por gjatë qershorit kanë pasur gati 500 raste në ditë

Kazakistani, (18.2 milionë), ku virusi nuk ka kursyer as presidentin dhe ministrin e shëndetësisë, ka pasur rritje të rasteve ditore që nga muaji i fndit. Deri më sot janë regjistruar 20 mijë të infektuar dhe 136 të vdekur.

Bosnje Herzegovina (3.3 milione) ka pasur nga më shumë se 450 raste në javë, ndërsa totali aktual ka shkuar në rreth 4 mijë të infektuar, prej të cilëve 178 kanë vdekur.

Kirgiztani (6.3 milionë) ka pasur më shumë se 200 raste të reja në ditë. Vendi numëron 42 vdekje dhe 4200 të infektuar në total.

Ukraina (42 milionë)është një tjetër vend ku janë rritur rastet. Rreth 10 mijë të infektuar të rinj janë regjistruar vetëm në dy javë e fundit. Numri total i të vdekurve është 101.

Shqipëria (2.8 milionë banorë) pati ulje të rasteve në muajin maj, por një rikthim me prirje negative në muajin qershor. Vetëm gjatë këtij muaji u regjistruan më shumë raste se në 3 muajt e shkuar. Rreth 1,400 raste të reja dhe 25 viktima rënduan më tej bilancin gjatë këtij muaj duke e çuar totalin në 2,466 të infektuar, prej të cilëve 58 kanë  vdekur.

Kosova (1.8 milionë banorë) po ashtu ka pasur të njëjtën prirje negative ku më 16 qershor pati dhe rekord prej 141 rastesh të reja ditore me COVID-19. Aktualisht totali i të infektuarve ka shkuar në 2,677, prej të cilëve 49 kanë vdekur.

 

Lexoni gjithashtu:

Bilanci rajonal i COVID-19, rreth 70 viktima dhe mbi 3000 të infektuar, virusi rikthehet në Mal të Zi