Evropa

Turistët drejt Greqisë, rikthehet tradita e udhëtimeve tokësore. Kufiri me RMV e Shqipërinë hapet në 1 korrik

Përditësimi i fundit: 29/06/2020 - 08:51
Text size Aa Aa

Me mijëra qytetarë presin çdo ditë në kufirin mes Greqisë dhe Bullgarisë, gati të shijojnë sezonin veror. Kufijtë e Greqisë po rihapen dhe turistët nga e gjithë Evropa po ringjallin një traditë të vjetër: udhëtimet tokësore.

 “Pritëm rreth një orë. A është radhë e gjatë? Po, është. Kam paguar për udhëtimin turistik që në dhjetor. E dini, nëse nuk e përdornim, do të merrnim një rimbursim në vitin 2022! E kush do të priste deri në vitin 2022?” thotë një turist nga Serbia.

"COVID-19 është shqetësim për të gjithë. Por çdo gjë është në rregulla nëse merr masat; dorezat dhe maskë”, shprehet një turist nga Britania e Madhe.

Deri në fillim të korrikut, kufiri Promahonas është i vetmi kalim i hapur për udhëtarët në Greqinë Veriore. Nga këtu vijnë çdo ditë mijëra turistë nga vendet anëtare të BE-së dhe nga Serbia. Autoritetet greke kryejnë testime për COVID-19 dhe ata kanë zbuluar një pjesë të vogël të turistëve që kanë rezultuar pozitivë.

"Një oficer nga zyra e doganës na tha të parkojmë makinën, të marrim pasaportat tona dhe pastaj të bëjmë një provë", thotë turisti nga Serbia.

Të kalosh kufirin ndoshta do të duhet më shumë se një orë pritje, por ia vlen. Familja e Markos, nga Serbia duke kaluar nga Bullgaria shpenzoi 9 orë për të mbërritur në Halkidhiki.

"Ne diskutuam për një kohë të gjatë nëse do të shkonim apo jo. Në fund vendosëm se është mirë të shkojmë. Pse të humbasim këtë shans? Ne ishim të shqetësuar nëse do të ndaleshim në kufi, por në fundi gjithçka ishte në rregull", thotë Marko Ignjatov, nga Serbia.

Udhëtimet tokësore nga Evropa qendrore dhe Veriore drejt Halkidhiki kanë qenë shumë popullore në vitet 1980. Dhe pandemia duket se ka rikthyer këtë traditë, pasi njerëzit kanë frikë të përdorin avionë, trena apo autobusë.

"Këto ditë, udhëtimet tokësore janë shumë më të lehta sesa në të kaluarën. Rrjetet rrugore janë modernizuar, këtu në Greqi, në Ballkan dhe në të gjithë Evropën. Përmes shpejtësisë udhëtimi me distanca të gjata bëhet më i lehtë”, thotë Ioannis Koufidis, kreu i Unionit të Biznesit në Halkidhiki.

Ndërsa kufijtë tokësorë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pritet të hapen në 1 korrik.

Tregime të lidhura